qime

Nga Wiktionary
Wikipedia ka një artikull për fjalën:

Shqip[redaktoni]

Emër[redaktoni]

qime f.

  1. anat. Fije e hollë prej lënde të brirtë, që rritet mbi lëkurën e njeriut dhe të disa kafshëve. Qime e zezë (e verdhë, e bardhë, e kuqe). Qime e gjatë (e hollë, e trashë). Qimet e kokës flokët. Qimet e mjekrës. Qimet e duarve (e këmbëve). Qime kali (derri, dhie, maceje). Lëkurë me (pa) qime. I rriten (i dalin, i bien) qimet. Heq (shkul) një qime. S'i ka mbetur asnjë qime në kokë. Iu thinjën qimet. I dolën qime të bardha filloi të thinjet.
  2. përmb. Tërësia e fijeve të holla që mbulojnë trupin e një kafshe. E ka qimen të zezë (të kuqe, të murrme). E ka qimen të ashpër (të butë). Ndërron qimen. I bie qimja. Ujku qimen e ndërron, po lëkurën s'e ndërron (po zakonin s'e harron). fj. u.
  3. përmb., bised. Fijet e mjekrës e të mustaqeve. E ka qimen të ashpër (të fortë). S'i ka dalë (dirsur) qimja ende nuk ka filluar ende të rruhet, është ende i mitur.
  4. Fije e hollë leshi, që veçohet nga peri i dredhur, me të cilin është endur a thurur një rrobë, një pëlhurë, një qilim etj. Qime leshi. Qimet e qilimit (e çorapeve). I kanë dalë qimet.
  5. kryes. Fije të holla, po të forta, zakonisht nga jelja a nga bishti i kalit, që përdoren për furça e për punë të tjera. Qimet e furçës. Furçë me qime kali (derri).
  6. bot. Fije e hollë që del në rrënjët a në kërcellin e disa bimëve. Qime thithëse. Qime e trashë.
  7. kryes. anat. Zgjatime të holla si fije në cipën e një organi të trupit. Qimet e zorrëve.
  8. tek. Fije e hollë metali, e përdredhur në mekanizmin e një ore. Qimja e orës. Iu këput qimja. I ndërroi qimen.
  9. zool. Qime e gjallë.
  10. shih QIMËZ,~A 1. I ka hyrë qimja. E zuri (i ra) qimja.
  11. mjek. shih QIMËZ,~A 2. Të rëntë (të hëngrët) qimja! mallk.
  • Asnjë qime (fije floku) asnjë fije, asnjë grimë aspak. Pas qimes për një grimë, për diçka të vogël. Deri në një qime deri në hollësitë më të vogla, pa lënë mangët as gjënë më të vogël, plotësisht. Iu drodhën qimet e kokës (flokët, leshrat e kokës) shih te FLOK, ~U. Nuk të fal (as) qimen është shumë kërkues, nuk bën as lëshimin më të vogël. Flet me qime flet në mënyrë shumë të përpiktë. Ia kalli qimen thjeshtligj. e la diçka pas dore, s'ia vari dikujt a diçkaje. Këput edhe qimen shih te KËPUT. Lesh me qime shih te LESH, ~I. Një qime derri është pak, një fije. Sa qimet e kokës shumë shtrenjtë. Si qimja në qere shumë i rrallë; shumë rrallë. I rri në qime dikujt tregohet i kujdesshëm ndaj dikujt në të folur e në veprime. Shpëtoi për një qime (për një fije floku, për një fill) shih te FIJ/E, ~A. S'e trembi (fare) qimen nuk u frikësua, nuk iu tremb syri. Varet (mbahet) te një qime është gati duke u prishur a duke vdekur, pak gjë e ndan nga prishja a nga vdekja. E bën qimen (halën, perin) tra i zmadhon shumë gjërat, i paraqit gjërat shumë më të mëdha sesa janë. Më dolën qime të bardha shih te BARDHË (i,e). Ia ha syri në qime dikë shih te SY,~RI. Futet si qimja në qull hyn aty ku s'duhet, futet (ndërhyn) në një punë pa qenë fare e nevojshme dhe e prish punën. I qe çelur qimja ishte i gëzuar. Është qime e gjallë

a) është shumë i shkathët në punë e në veprime, është shpuzë; b) keq. është tinëzar i madh, të dëmton pa u ndjerë fare. Ka qimen (lëkurën) e ujkut shih tek UJK, ~U 1. S'ka ku të gjejë (të nxjerrë) qime nuk gjen dot ndonjë shkak a ndonjë të metë, s'ka ku të kapet. Kërkon qimet e kokës kërkon një shpërblim shumë të madh, jep një çmim jashtëzakonisht të lartë. Kërkon (gjurmon, lyp) qimen në vezë mundohet të gjejë medoemos ndonjë të metë në një punë a në diçka tjetër, kapet pas gjërave fare të vogla e pa rëndësi. Nuk i mungon asnjë qime nuk i mungon asgjë, nuk ka asgjë mangët, i ka të gjitha të mirat. E ndan (e çan) qimen më katërsh (dysh) a) është shumë i zoti, është mendjehollë; b) keq. është shumë dorështrënguar; c) e ka zakon të kapet pas gjërave fare të vogla. Iu ngritën (iu çuan) qimet (leshrat e kokës, flokët) përpjetë shih te FLOK,~U. S'i ngjitet qimja në trup është shumë i pastër, i ndrijnë rrobat në trup. Numëron qimet (fijet) e postiqes shih te POSTIQ/E,~JA. S'e nxjerr (dot) qimen nga qulli nuk është i zoti e i shkathët, është shumë i plogët, nuk e ke për asgjë. Pagoi (harxhoi) qimet (leshtë) e kokës harxhoi shumë, shpenzoi jashtë mase. S'ta pret njeri qimen (perin) shih te PRES I. Qimja e tjetrit të duket tra është më lehtë të shohësh të metat e të tjerëve, sesa të tuat. I kanë rënë qimet (i ka rënë leshtë) e kokës shih te LESH,~I. Shkul një qime nga një derr (shkul një gur nga një mur) shih te SHKUL. Shikon (sheh) qimen në syrin e tjetrit dhe nuk shikon (nuk sheh) trarin në syrin e vet nuk sheh të metat e gabimet e veta të mëdha, por merret me gjërat e vogla të të tjerëve. Qime e gjallë zool. krimb i hollë si fije, që jeton në ujë dhe si parazit te disa kafshë shtëpiake e shpendë.

Në gjuhët tjera[redaktoni]