zinxhir

Nga Wiktionary

ZINXHIR m.

  • 1. Varg rrathësh prej metali të shkuar radhazi njëri tek tjetri; varg hallkash a pjesësh të njëllojta prej metali, të kapura njëra me tjetrën, që përdoret për të mbërthyer, për të lidhur etj. Zinxhir floriri. Zinxhiri i qenit. Zinxhiri i kamastrës. Zinxhiri i biçikletës. Zinxhiri i tankut (i traktorit). Zinxhiri i çelësave. Zinxhiri i çantës (i trikos). Hallkat e zinxhirit. Qen zinxhiri qen që kafshon dhe që mbahet i lidhur me zinxhir. E lidhi me zinxhir. E këputi zinxhirin. Iu prish zinxhiri. I vuri zinxhir të ri.
  • 2. vet. fig. Sundim i egër; diçka që të mban të lidhur e të mbërthyer, pranga. Zinxhirët e kanunit. Zinxhirët e robërisë (e skllavërisë). I këputën (i flakën) zinxhirët. U çliruan nga zinxhirët. Farkëton zinxhirët përgatit robërimin.
  • 3. Varg elementesh të njëjta e të lidhura njëri pas tjetrit; gjithçka që është si një varg i pandërprerë. Zinxhiri nervor. mjek. Zinxhiri i përcjellësve. Zinxhiri i valles. Zinxhiri i shtyllave. Rakia vë (mban) zinxhir është raki e fortë (formohet një varg flluskash të vogla rreth grykës së shishes kur tundet).
  • 4. usht. Formacion luftëtarësh të vendosur në një largësi të caktuar njëri përkrah tjetrit. Zinxhiri i skuadrës (i kompanisë). Formacioni zinxhir.
  • 5. fig. Varg i pandërprerë dukurish, ngjarjesh, mendimesh, veprimesh etj., që vijnë si rrjedhim logjik i njëri-tjetrit, lidhen njëri me tjetrin ose janë vijim i njëri-tjetrit. Zinxhir urimesh. Zinxhiri i fakteve (i ngjarjeve). Zinxhiri i veprimeve revolucionare. Ka një zinxhir rrugëdaljesh.
  • 6. përd. mb. Që vijnë a që ndodhin varg njëri pas tjetrit; që përbëhet nga veprime, procese etj. të lidhura varg njëri pas tjetrit; i pandërprerë. Aksione zinxhir. Metoda (sistemi) zinxhir. Reaksion zinxhir. kim. reaksion i vijueshëm, ku elementet që dalin nga një zbërthim mund të hyjnë përsëri në veprim me elementet fillestare. Qëndisje zinxhir qëndisje e thjeshtë, që bëhet në trajtë të hallkave të një zinxhiri.
  • 7. përd. ndajf. Në mënyrë të pandërprerë, njëri pas tjetrit, varg. U radhitën zinxhir. Gjërat janë të lidhura zinxhir. Këto punë shkojnë zinxhir.
  • Dredh (tund) zinxhirin (tespihet) rri kot, e kalon kohën kot, vret miza. Si qeni i lëshuar nga zinxhiri që nuk përmbahet dot, që vepron pa fre.