Jump to content

sipër

Nga Wiktionary

SIPËR

I. ndajf.

  • 1. Në një vend më të lartë në krahasim me një tjetër; në pjesën e lartë të diçkaje; lart; në katin a në katet më lart të një ndërtese, lart; kund. poshtë. Sipër te një breg. Atje sipër në mal. U ngjit (hipi) sipër. Mbushet nga sipër. Sipër banon një familje punëtore. Trokit më sipër.
  • 2. Mbi sipërfaqen e diçkaje a mbi trupin e dikujt; kund. poshtë; brenda. Nxori kokën sipër. Rrinte sipër mbi të. Sipër mbi çati. I hodhi një mbulesë sipër. E ka adresën sipër. Ia shkoi sipër. I vuri dorën sipër. I ra sipër. Doli sipër mbi ujë.
  • 3. Nga ana e sipërfaqes së diçkaje, nga ana e jashtme; kund. poshtë; brenda. Sipër është i kuq. Nga sipër është i veshur me gëzof.
  • 4. Në pjesën e mëparshme të një shkrimi a të një ligjërate. Siç thamë me sipër. U përmend më sipër. Vijon si më sipër.
  • 5. Përdoret së bashku me lidhëzën «e» për të shënuar vazhdimësinë e një vargu numrash e madhësish nga një cak i dhënë; e lart. Dyqind e sipër. Nga dy vjeç e sipër. Fëmijët gjashtëmuajsh e sipër.
  • 6. Së bashku me një emër të prirë nga parafjala në tregon një veprim që po kryhet. Në punë e sipër. Në ndërtim e sipër. Në luftë e sipër. Në kalim e sipër. Në rrugë e sipër. Në fjalë e sipër. Në zhvillim e sipër. Në formim e sipër. Në bisedë e sipër. Në përfundim e sipër.

II. parafj.

  • Përdoret me një emër në rasën rrjedhore për të treguar së bashku me të:
  • 1. Sipërfaqen e një sendi a të një vendi, mbi të cilin ndodhet a mbështetet dikush a diçka ose lëviz dikush a diçka, bëhet a kryhet diçka; mbi, në, përsipër. Sipër tryezës. Rrinin sipër krevateve. Shkeli sipër barit. U shtri sipër rërës.
  • 2. Hapësirën mbi një send, një qenie a një sipërfaqe, ku ndodhet dikush a diçka, ku kryhet një veprim, por pa e prekur sendin, qenien ose sipërfaqen; mbi, lart. Sipër tokës. Sipër maleve. Fluturonte sipër kokave tona.
  • 3. Një sipërfaqe, një hapësirë a një send që zë një vend më të lartë në krahasim me një tjetër. Fluturon sipër reve. Banon sipër nesh banon në katin mbi banesën tonë.
  • 4. Gjendjen a sasinë më të lartë se ajo që është e zakonshme për dikë a për diçka ose që merret si pikënisje; më shumë se, mbi; kund. nën. Sipër mesatares. Sipër planit. Sipër detyrës.
  • 5. Sendin që na shërben si objekt i punës sonë a i vëzhgimeve tona. Rri gjithë ditën sipër librave.
  • 6. përd. mb. I sipërm; i mësipërm. Në katin sipër.
  • Sipër e sipër në mënyrë të përciptë, përciptas; sa për të kaluar radhën. I rri sipër tregon kujdes të madh për dikë a diçka; i rri mbi krye. E trajtoi në kalim (e sipër) diçka shih te KALIM,~I.