shtresë
Appearance
SHTRESË f.
- 1. kryes. Dyshek a rrobë tjetër që shtrojmë poshtë për të fjetur; qilim, shkorsë a diçka tjetër që shtrojmë për të ndenjur a për të zbukuruar dhomën. Shtresa e mbulesa. Ngre (shkund) shtresat.
- 2. Kashtë, gjethe, fier etj. që u shtrohet bagëtive për të ndenjur ngrohtë e pastër dhe për të shtuar plehun; shtrojë. U vë shtresë lopëve.
- 3. Lëndë e shtrirë, me sipërfaqe të gjerë dhe me trashësi të ndryshme, që është e shtruar mbi diçka, mbulon diçka, është si pjesë e diçkaje ose qëndron midis dy sipërfaqesh, duke u puqur me të. Shtresë e hollë (e trashë). Shtresë e butë (e fortë). Shtresa e parë (e dytë, e tretë ...). Shtresa e sipërme (e poshtme). Shtresa e brendshme (e jashtme, e mesme). Shtresat e larta të atmosferës. Shtresa e sipërme e rrugës. Shtresa pjellore e tokës. Shtresë bore (akulli). Shtresë pluhuri. Shtresë metali (ari, argjendi, gome). Shtresë betoni (suvaje). Shtresë dheu (plehu, rëre, zhavorri, gurësh, druri). Shtresë dylli. Shtresë gjalpi (dhjami, kremi). Shtresa e bojës (e gëlqeres).
- 4. gjeol. Masë shkëmbi, minerali a lënde tjetër, me përbërje pak a shumë të njëjtë e me trashësi të ndryshme, që shtrihet si një brez i gjerë ndërmjet lëndësh të tjera në koren e tokës. Shtresë gjeologjike. Shtresë e pjerrët (horizontale). Shtresa të pasura. Shtresa hekuri (gjipsi, qymyri). U zbuluan shtresa të reja.
- 5. Pjesë e një klase shoqërore ose grup njerëzish me gjendje shoqërore të njëjtë, që kanë po atë nivel jetese e shkallë kulture dhe pikëpamje politike e ideologjike pak a shumë të njëjta; grup shoqëror. Shtresë shoqërore. Shtresat e gjera të popullit. Shtresat e ulëta (e larta). Shtresë e varfër (e mesme, e pasur). Shtresë e privilegjuar. Njeri i shtresës. bised. njeri me prejardhje nga shtresat e varfra të shoqërisë shqiptare përpara Çlirimit, që u lidhën me Luftën Nacional-çlirimtare dhe me pushtetin popullor.
- 6. arkeol. Brez toke në thellësi, që përmban sende të një periudhe të caktuar historike. Shtresë kulturore. Shtresë homogjene (e përzier).
- 7. gjuh. Grup fjalësh në përbërjen e fjalorit të një gjuhe a të disa gjuhëve, që kanë veçori të përbashkëta stilistike, prejardhje të njëjtë etj. Shtresë leksikore (stilistike). Shtresa indoevropiane.