shoshë
Appearance
SHOSHË I f.
- 1. Përdorëse që bëhet zakonisht prej një cope teneqeje a lëkure të shpuar vrima-vrima e të mbërthyer në një rreth druri dhe që shërben për të ndarë drithin nga gëzhutat e nga papastërti të tjera; sasia sa nxë një enë e tillë; përdorëse për të pastruar lëndë të ndryshme (si rëra, zhavorri, çaklli) ose për t'i ndarë këto sipas madhësisë së kokrrave a të copave. Shoshë e thellë. Shoshë mekanike (rrotulluese, dridhëse). Shoshë cilindrike. Shoshë dore. Shoshë gruri (misri). Shoshë zhavorri. Shoshat e kombajnës. Rrethi i shoshës. Një shoshë grurë.
- 2. fig. Mjet a mënyrë që shërben për të shqyrtuar diçka me imtësi e me kujdes dhe për të ndarë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e rrema, të drejtën nga e gabuara, atë që vlen nga ajo që nuk vlen. Shosha e parë. Shosha e Partisë. I kaloj në shoshë.
- 3. fig. Vend i vogël, një copë, pak. Një shoshë vend (qiell).
- 4. Lagës.
- 5. si mb. Vrima-vrima, tërë vrima. E ka tavanin shoshë. U bë shoshë nga plumbat.
- Bën vrima në shoshë bën një punë pa vlerë, bën një vrimë në ujë. Është shoshë pa rreth ka një farë aftësie a vlere, por i mungon diçka, që e bën të padobishëm. Është shoshë e prishur shih te PRISHUR (i,e). Është shoshë e shpuar mospërf. shih te SHPUAR (i,e). Të jep ujë me shoshë
- a) është shumë i zgjuar e i shkathët;
- b) të ngop me lugë të zbrazët. Mbush (mban, merr) ujë me shoshë (me shportë) bën punë kot; përpiqet në një mënyrë që nuk sjell asnjë dobi. Të nis me shoshë për ujë të gënjen, ta mbush mendjen për gjëra që nuk janë të vërteta, të bën të besosh për gjëra të paqena. Rronte me një shoshë lakra shih te LAK/ËR, ~RA. Sillet si lëmshi në shoshë shih te LËMSH,~I. Shkon (vete) me shoshë për ujë mban ujë me shoshë. I kishte zënë shosha (hambari) merimanga shih te MERIMANG/Ë,~A. Nuk trembet ariu (arusha) me shoshë. fj. u.
- a) për të bërë një punë të rëndësishme duhen mjetet e përshtatshme;
- b) keq. armiku a e keqja duhen goditur me mjete të forta, derri do plumb. Nuk mbulohet (nuk zihet, nuk fshihet) dielli me shoshë fj. u. shih te DIELL,~I. E vunë në sitë e në shoshë dikë shih te SIT/Ë,~A. Shosha shosh, sita sit fj. u. secili ka aftësitë e veta e bën punën që ka mundësi të bëjë.
SHOSHË II f. bot.
- Një lloj gjembaçi, që rritet në vende të thata e nëpër rripa, me lule të përbëra e me kërcell të ëmbël, i cili hahet pasi të qërohet.