Jump to content

shkel

Nga Wiktionary

SHKEL kal.

  • 1. edhe jokal. Vë këmbën diku a mbi diçka për të ecur; eci, kaloj nëpër një vend; vë këmbën mbi diçka dhe e ngjesh a e shtyp këtë. Shkeli barin (grurin, lulet, të mbjellat, fidanët). Shkel dëborën. Shkel në qilim (në dysheme, në çimento). Shkel në tokë të punuar (në rërë, në baltë). Shkel mbi akull (mbi gjethe). I shkeli pallton. Shkeli (në) një minë.
  • 2. vet. veta III. Zë nën vete dhe e shtyp, e plagos a e vret (për kafshët e për mjetet e transportit). E shkeli kali (mushka). E shkeli makina (karroca). I shkeli dorën (këmbën). E shkeli për vdekje.
  • 3. Shtyp me këmbë rrushin, ullinjtë, grurin e zbutur në ujë etj. për të bërë verë, vaj, niseshte etj. Shkel rrushin (ullinjtë, grurin).
  • 4. Rrah në dërstilë shajakun, zhgunin, velenxat etj. që të ngjishen e të leshtohen, dërstil. Shkel shajakun (zhgunin). Shkel velenxat në dërstilë.
  • 5. Shtyp me dorë a me këmbë një sustë ose një vegël të një makine, të një aparati etj.; tërheq këmbëzën e një arme. Shkel frenat (e makinës). I shkel gazin makinës. Shkel sustën. Shkel këmbëzën.
  • 6. bised. Ndrys dikë në trup me këmbë. Shkel gjyshin. Më shkel pak! Shkel mirë ai.
  • 7. bised. Hekuros. Shkel pantallonat (jakën, këmishën) me hekur.
  • 8. edhe jokal. fig. Vete; hyj diku; vizitoj; vë këmbët diku, zbres. Nuk i shkel në prag (në derë) dikujt. Nuk ka shkelur me në fshat (në qytet). Nuk i ka shkelur mik në shtëpi. Nuk ia ka shkelur pragun (derën). Nuk ka shkelur këmbë njeriu atje. Kudo ku ka shkelur këmba e gjeologut. Këtë s'ka shkelur ai! Këto fshatra i kemi shkelur me pëllëmbë. Me të shkelur në tokë...
  • 9. edhe jokal. fig. Pushtoj, vë nën sundim, nënshtroj; hyj me dhunë në një vend të huaj; hyj me dhunë në shtëpinë e dikujt. Turqia shkeli Ballkanin. Armiku na shkeli vatrat (në vatër). Nuk e shkelën dot malësinë (turqit). Xhandarët (fashistët, hajdutët) i shkelën shtëpinë.
  • 10. fig. bised. Gaboj, shkas (duke thënë a duke bërë diçka të pamenduar, të papërshtatshme); e teproj. E shkele! Po e shkel me të dyja këmbët.
  • 11. edhe jokal. fig. Dhunoj, cenoj, nuk e marr parasysh, veproj në kundërshtim me një detyrim ligjor, shoqëror, moral a zakonor; thyej, tradhtoj; marr nëpër këmbë, përbuz, poshtëroj, hedh poshtë. Shkel një marrëveshje (një traktat, një konventë). drejt. Shkeli statutin (ligjet, rregullat, rregulloren, urdhëresën, vendimet). Shkeli parimet. Shkeli zotimet. Shkeli besën (betimin, fjalën). Shkeli normat e shoqërisë. Shkeli nderin e dikujt. Ka shkelur gjakun e dëshmorëve. Shkeli zakonet. Shkelën kanunin. Shkeli mbi djersën e dikujt. I shkeli hapur (rëndë).
  • 12. edhe jokal. fig. bised. Hyj, arrij (për vjetët e moshës, për muajt e stinët). Shkeli (në) të njëzetat. Mbushi gjashtë e shkeli në të shtatin. I ka shkelur të dyzetat. Shkeli dhjetori. Shkeli dimri (vjeshta).
  • 13. jokal. fig. bised. I jap fort, ia jap; nxitoj. Ia shkeli vrapit. Ia shkeli në punë. Mos ia shkel kështu!
  • 14. vet. veta III. Shiton, shuplak (sipas besëtytnive). E kanë shkelur xhindet (hijet).
  • 15. vet. veta III. Bashkohet mashkulli me femrën, pllenon (zakonisht për shpendët). Gjeli shkel pulat.
  • 16. vet. veta III bised. I bie një sëmundje (një njeriu, një kafshe a një bime). E ka shkelur përdhesi. E ka shkelur pajaga grurin (misrin).
  • Di ku shkel dikush është i matur, është i kujdesshëm. I shkeli bishtin dikujt
  • a) i preku një të drejtë ose një privilegj;
  • b) e zuri ngushtë. I shkeli brezin dikujt i dha shkak për sherr. Ia shkeli gazin thjeshtligj.
  • a) nxitoi shumë, vrapoi shpejt;
  • b) u ngut shumë në një punë, në një veprim etj. dhe e bëri atë shkel e shko, u tregua i matur, i pamatur në një punë. Shkel në erë shih tek ER/Ë,~A. Shkeli mbi gjarpinj shih te GJARPËR,~RI. Sikur shkel mbi gjemba (mbi vesë) shih te GJEMB,~I. Shkel në gjurmët e dikujt ndjek shembullin e dikujt, veproj sipas shembullit të tij, eci në rrugën që ka çelur dikush. E shkeli në kallo (në lyth) dikë shih KALLO,~JA. Ka shkelur keq ka bërë gabim. Shkel këmbë vjet. ngul këmbë, tregohem këmbëngulës. Shkel me këmbë diçka shih te KËMB/Ë,~A. E ka shkelur koha dikë nuk ka ecur përpara së bashku me kohën, ka mbetur prapa të tjerëve; është me të vjetrën, është prapanik. Shkeli kurorën vjet. shih te KUROR/Ë,~A 5. Shkel në pambuk shih te PAMBUK, ~U. E shkelën me para (me ryshfete) dikë i dhanë ryshfet për t'u rregulluar një punë, e blenë me para. I shkel (i luaj) syrin dikujt i bëj shenjë me sy që t'i jap të kuptojë diçka (pa e vënë re të tjerët). Shkel e shko me nxitim pa kujdes; dosido, keq. Shkel buklën (me këmbë) tregohet mosmirënjohës ndaj dikujt, ia kthen të mirën me të keqe. E shkeli me të dy (me të dyja) këmbët shih te KËMB/Ë,~A. Të shkel hijen (prapa) dikush është shumë i shpejtë; është shumë i zoti për të bërë diçka, të merr gjak në vetull. Nuk ia ka shkelur njeri hijen prapa është shumë i shpejtë dhe s'e zë dot asnjeri. Nuk shkel (nuk bie) në dërrasë (dhogë) të kalbur shih te DËRRAS/Ë,~A. T'i shkelësh në dritë të syrit shih te DRIT/Ë,~A. I shkel këmba shesh (dyst) nuk ka pengesa në rrugën e vet; e ndien veten zot.