shirit

Nga Wiktionary
Jump to navigation Jump to search

SHIRIT m.

  • 1. Rrip i hollë e i ngushtë prej pëlhure, prej letre, prej metali etj., që përdoret për punë të ndryshme, për zbukurime, në teknikë etj.; gajtan. Shirit i hollë. Shirit i gjatë (i ngushtë, i gjerë). Shirit i bardhë (i verdhë). Shirit i zi rrip prej pëlhure të zezë që vihet në krah ose në jakën e xhaketës në shenjë zie. Shirit i kuq rrip prej pëlhure të kuqe që vë në krah dikush kur është ngarkuar me një shërbim të caktuar. Shirit i çeliktë. Shirit magnetik. spec. rrip i hollë e i ngushtë prej një lënde të posaçme, i mbuluar nga njëra anë me një shtresë me veti elektromagnetike, që shërben për të regjistruar zërin ose figurat. Shirit magnetofoni. spec. Shirit letre (mëndafshi, kadifeje). Shiriti i telegramit rrip letre i mbledhur rrumbullak, mbi të cilin aparati marrës shtyp tekstin e një telegrami. Shirit makine rrip i ngushtë prej pëlhure të ngjyrosur, që përdoret në makinat e shkrimit. Shirit mitralozi. usht. rrip metalik me fole për fishekët e mitralozit. Shirit me fishekë. Shirit filmi rrip i hollë prej lënde të posaçme, i mbuluar me një shtresë të ndjeshme ndaj dritës, që përdoret për të fotografuar. Shirit shërbimi. usht. rrip i gjerë prej pëlhure të kuqe me mbishkrimin përkatës, që vë në krah ushtaraku gjatë shërbimit. Shiriti i mbërritjes. sport. rrip pëlhure që vendoset në vendin e mbërritjes së atletëve në një garë vrapimi (ai që prek shiritin i pari me gjoks, fiton garën). Shiriti i librit rrip i ngushtë prej mëndafshi, që shërben për të shënuar në ç'faqe është ndërprerë leximi në një libër. Fustan me shirita. Pres shiritin (e inaugurimit të një vepre ndërtimi, të një ekspozite etj.). Lidh flokët me shirit.
  • 2. vjet. Rrip i hollë në ngjyrë ari, të kuqe etj. që vihej në suporet ose në mëngët e uniformës ushtarake për të shënuar gradën e një oficeri a nënoficeri; gradë. Shirita oficeri (nënoficeri). Me dy (me tre) shirita. I shtuan edhe një shirit. I vunë shiritat e bënë oficer. I hoqën shiritat i hoqën gradat.
  • 3. zool. Krimb i gjatë me trup të përbërë prej një numri të madh unazash të shtypura, që jeton si parazit në zorrët e njeriut dhe të disa kafshëve gjitare; lëvrizë. Shiriti i njeriut (i kaut, i derrit, i qengjave, i qenit). Koka e shiritit. I daltë shiriti! mallk.
  • 4. fig. Diçka që shtrihet si një brez i ngushtë e i gjatë. Shiriti i lumit. Shiriti i rrugës (i hekurudhës).
  • 5. përd. mb. Që ka trajtën e një rripi të ngushtë (për disa vegla e përdorëse prej metali a prej një lënde tjetër). Sharrë shirit. Metër shirit.
  • U bë (fare) shirit dikush u dobësua shumë, u tret, u bë kockë e lëkurë. Iu derdh si shirit iu turr me vrull e me shkathtësi, iu derdh si gjarpër (për ta goditur, për ta qortuar, për ta sharë). Iu bë buka shirit dikujt
  • a) nuk hëngri bukë me qejf, hëngri me zor e pak e nga pak, mezi e gëlltiste bukën e gjellën, pasi nuk i pëlqente a nuk kishte oreks (nga një shqetësim, hidhërim etj.);
  • b) e zgjati shumë të ngrënët, hëngri tepër ngadalë, mezi mbaroi së ngrëni. Iu bë puna shirit dikujt mezi e mbaroi një punë, ngaqë nuk i pëlqente a ngaqë ishte i pazoti e i ngathët. Ka shiritin (tenjën, sprijën) në bark dikush ha dhe s'ka të ngopur, ha shumë e vazhdimisht.