se

Nga Wiktionary

SE

I. pyet.

  • 1. Përdoret gjithnjë i shoqëruar me parafjalë për të pyetur për sende, për mjetin me të cilin bëhet diçka, për shkakun e diçkaje dhe për lëndën nga e cila përbëhet diçka; çfarë. Me se punon? Me se e mori? Me se e shkëmbeu? Me se e krahason? Prej se përbëhet? Nga se u sëmur? Përse u fol në mbledhje? Në se e mbështet këtë? Mbi se qëndron?
  • 2. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» dhe me përemrin «çfarë», «ç», kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka ose kur përmbyll tregimin a numërimin. Ja se çfarë na tregoi. Ja se ç'më solli. Ja se ç'duhej të bënte. Ja se ç'kisha për të thënë. Ja se ç'njeri është.
  • 3. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» dhe zakonisht edhe me përemrin «çfarë», «ç», ose me ndajfoljet «ku», «nga», «si» për të përforcuar shprehjen e habisë, zemërimit, të mospërfilljes, të përçmimit etj. Ja se çfarë na qenka! Ja se ç'na paska punuar! Ja se ç'të gjeti! Ja se çdo të thotë të jesh i mësuar! Ja se ku na doli! Ja se nga na erdhi! Ja se si e paska rregulluar!

II. lidh.

  • 1. Përdoret për lidhur një fjali kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore ose përcaktore me fjalinë drejtuese; që. Dihet se Toka rrotullohet rreth Diellit. Thuhet se morën pjesë shumë veta. Shihet se janë gati të nisen. I treguan armikut se shqiptari nuk gjunjëzohet. Hetuan se aty afër ndodhej një shpellë. E mori vesh se ku ishin.
  • 2. Përdoret për të lidhur një fjali shkakore me fjalinë drejtuese (me kuptimin «sepse, meqë, ngaqë»). I donte se ishin trima. E dëgjonin me ëndje, se kishte zë të bukur. Punonte shumë, se ishte i ndërgjegjshëm.
  • 3. Përdoret për të lidhur një fjali krahasore ose gjymtyrën e dytë të një krahasimi, kur kemi mbiemra ose ndajfolje në shkallën krahasore; sesa. Ishte më i shpejtë se era. Është më i ëmbël se mjalti. Tomori është më i lartë se Dajti. Prodhuan më shumë vitin e kaluar. Erdhi më parë se ju. Dolën më mirë se parashikohej. Më mirë vonë se kurrë. fj. u. Më mirë të dish se të kesh. fj. u.
  • 4. Përdoret si lidhëz kundërshtore para një fjalie të varur, e cila shpreh një veprim që do të ketë pasoja të padëshiruara, në rast se nuk plotësohet veprimi i shprehur nga fjalia drejtuese; përndryshe, në rast të kundërt. Mos u sill ashtu, se do të pendohesh. Mos dil pa pallto, se do të ftohesh.
  • 5. Përdoret e përsëritur për të lidhur dy gjymtyrë të një fjalie ose dy fjali që i kundërvihen njëra-tjetrës, kur shprehet mëdyshje a pasiguri. Se erdhi, se nuk erdhi, nuk e di. Se unë, se ti, njëri do të niset patjetër. Se ka, se s'ka, ai nuk e prish gjakun.
  • 6. bised. Përdoret me një fjalë të përsëritur në togje që shprehin një gjendje të papëlqyeshme, ose për të theksuar se një veprim kryhet a ndodh pavarësisht nga dëshira a parashikimi; që. Keq se keq, ta përfundojnë në një farë mënyre. Vonë se vonë, le të nisen tani. E tha se e tha. U bë se u bë.
  • 7. Përdoret në përbërjen e një vargu togjesh lidhëzore me kuptim shkaku, kohe, krahasimi, kundërvënieje, lejimi (p.sh. Për arsye se... Nga frika se... Nga shkaku se... Për shkak se... Duke qenë se... Në është se ... Në rast se... Në qoftë se... Po qe se... Po të jetë se... Para (përpara) se... Qysh se... Vetëm se ... etj.). U përqendrua te kjo çështje, për arsye se ka rëndësi të veçantë. Mjekimi me penicilinë u ndërpre, për shkak se kishte pasoja anësore. Duke qenë se rrethanat u ndërlikuan, hetimi u zgjat më tepër nga ç'parashikohej. Nxitonte nga frika se mos vonohej.

III. pj. 1. Përdoret në fund të një fjalie pyetëse ose habitore për të theksuar ngjyrimin e saj shprehës, emocional ose ironik; pa. Kush e besonte se? Sa mirë se! Sa bukur se! E në ç'kushte se! Sa hije të paska se! Punonin, e ç'të punuar se!

  • 2. Përdoret përpara përemrave pyetës e të pakufishëm dhe ndajfoljeve që shërbejnë për të pyetur në fjali dëftore a thirrmore për t'u dhënë kuptim të papërcaktuar. Se kush e mori. Se kush vajti. Se nga u zhduk! Se çfarë po çuçurinin njëra me tjetrën. Se ç'dreqin pati! Se ç'i ra (ç'i erdhi, ç'i hipi) në kokë!
  • 3. Përdoret në togje me pjesëzat «po» dhe «jo» të përsëritura për të theksuar pohimin a mohimin. Po se po. Jo se jo.
  • Më se... në shkallën më të tejme të asaj që është, plotësisht, krejt, shumë (p.sh. Është më se e vërtetë (e drejtë). Ishte më se i bindur.). Se mos... përdoret për t'i dhënë shprehjes një ngjyrim dyshimi, mospranimi ose përbuzjeje, ironie.