Jump to content

sa

Nga Wiktionary

SA

I. përem.

  • 1. pyet. Përdoret në fjali pyetëse të drejta ose të zhdrejta, kur pyesim për sasinë e qenieve, të sendeve a të dukurive; në çfarë mase, sasie, përpjesëtimi etj. Sa veta ishin? Sa vjeç je? Sa është ora? Sa kokë ka? Sa kushton? Sa herë në ditë? Save u keni thënë? Prej sa fijesh? Sa mban deri atje? Me sa erdhi? Me sa jemi sot? bised. ç'datë jemi sot? A i patë sa ishin? Nuk i kujtohej sa vjet kishin kaluar. E pyeti sa kilometra rrugë kishin bërë.
  • 2. pakuf., lidhor. Në atë sasi a masë; gjithë. Sa erdhën, aq u larguan. Sa u mbollën, aq u zunë. Gjithë sa qenë aty sa qenë aty, qeshën. I dha gjithë sa pati. Erdhën sa ishin ftuar. I ra me sa fuqi pati. Sa herë çdo herë, gjithnjë.
  • 3. lidhor. Përdoret me parafjalë «nga, me, për», zakonisht në fjali të ndërmjetme, me kuptim kufizues. Nga sa kam parë, janë bërë përparime të mëdha. Me sa duket, nesër do të jetë kohë e mirë. Me sa më kanë thënë, çështja do të zgjidhet së shpejti. Me sa di unë, ajo punë ka mbaruar. Me sa kishte marrë vesh, në fshat kishin hyrë partizanët.
  • 4. pakuf. Përdoret për të shprehur habi, çudi, admirim etj. për sasinë e madhe të qenieve, të sendeve a të dukurive. Sa paskan ardhur! Sa qenkan këtu! Sa vjet u bënë! Sa lot ka derdhur! Sa herë e kam parë!
  • 5. pakuf. bised. Disa, ca. U shpërndanë sa andej, sa këndej.

II. ndajf.

  • 1. Përdoret për të pyetur për një sasi a masë në mënyrë të përafërt. Sa punon? Sa e do nënën ti? Sa e ke kërkuar?
  • 2. Përdoret përpara mbiemrave e ndajfoljeve në fjali thirrmore për të formuar togje me vlerën e shkallës sipërore, që shprehin admirim, habi, dëshirë ose një ndjenjë tjetër të fortë. Sa i mirë! Sa i bukur! Sa shumë punuaka! Sa trim ishte! Sa lart u ngjit! Sa njeri i mirë! Sa grua e zonja! Sa më shpejt! Sa më parë!
  • 3. Përdoret përpara foljeve për të shprehur shkallën e larta të një veprimi, të një ndjenje etj. (me kuptimin «shumë, jashtëzakonisht»). Sa u lodh! Sa qejf e ka! Sa e do të birin! Sa i pëlqente! Sa u habit!
  • 4. Në atë masë që, në sasinë ose në shkallën e mundshme. Sa të mundesh. Sa të dojë. Sa të ketë. Sa të kërkojë.
  • 5. Fare pak kohë më parë; ja tashti, sapo, nuk ka shumë kohë. Sa kishte ardhur. Sa u fut brenda. Dimri sa kishte hyrë.
  • 6. Fare pak, një çikë, paksa. Sa e kishte prekur.

III. lidh.

  • 1. Përdoret për të lidhur një gjymtyrë fjalie ose një fjali të varur krahasore, kur shprehin po atë sasi, masë, përpjesëtim etj. të krahasuar. I madh sa unë. Punon sa për dy. Mëson sa ata. Sa i gjerë, i gjatë. Ishte i lartë sa një shtëpi trekatëshe. I vogël sa një kokërr gruri. E donte sa edhe të vëllanë. Kurrë nuk ka qenë i zhvilluar sa sot. Sa çel e mbyll sytë.
  • 2. Përdoret për të lidhur dy fjali a dy gjymtyrë të një fjalie që krahasohen ndërmjet tyre, në bashkëlidhje me ndajfoljet «aq, kaq» në fjalinë drejtuese a para gjymtyrës tjetër. Sa kërkoi, aq i dhanë. Sa fjalë, aq të mira. Sa më shumë, aq më mirë. Sa më afër, aq më qartë dëgjohej. Sa më shumë punonte, aq më thellë e njihte jetën. Nuk i doli aq i mirë, sa e pandehte.
  • 3. Përdoret në fillim të një fjalie të varur kohore, që tregon vazhdimin e veprimit deri në një kohë të caktuar ose përcakton cakun kohor më të fundit të veprimit (me kuptimin derisa). Priti sa e zuri gjumi. E la sa të piqej. Po lexoj pak sa të kthehen shokët. Sa të na punojë këmba e dora, nuk do t'i ndahemi punës.
  • 4. Përdoret para një fjalie të varur kohore, që shpreh një veprim i cili bëhet njëkohësisht dhe në po aq kohë sa ai që shprehet nga fjalia kryesore (me kuptimin «gjithë kohën që, gjatë kohës që»); përdoret me këtë kuptim edhe në togjet: «sa herë që...». «sa kohë që...». Sa ishte me shokët, e ndiente veten të qetë. Sa ndenji nuk hapi gojë. Nuk pushoi së punuari sa ishte gjallë. Sa herë vinte, i sillte diçka.
  • 5. Në çastin kur, në kohën që, sapo. Sa e thirra, erdhi. Sa e pashë, m'u kujtua. Sa u ul, filloi nga puna. Sa ta mbaroj këtë që kam në dorë, do të nisem.
  • 6. Përdoret në krye të një fjalie të varur kohore, që shpreh një veprim tepër të zgjatur në krahasim me veprimin e shprehur në fjalinë kryesore. Sa të kujtohej ai, puna kishte marrë fund. Sa të ngrihej e të vishej ajo, miqtë kishin dalë.
  • 7. Në vend që. Sa të rrish kot, lexo ndonjë gjë! Sa të ma kujtojë ai përsëri, më mirë po vete vetë.
  • 8. Përdoret për të ndërtuar fjali që shprehin marrëdhënie të ndryshme rrjedhore (me kuptimin «deri në atë masë, deri në atë shkallë që...»). Foli sa u lodh. Diskutoi sa i bindi. U nxeh sa u shkri.

IV. pj.

  • 1. Përdoret me kuptim kufizues a theksues me emra, përemra a me shprehje ndajfoljore me parafjalën «për». Sa për kohë, kemi mjaft. Sa për mua, më mirë të mos kishte ardhur. Sa për ato, mos u shqetësoni. Kaq sa për sot.
  • 2. Përdoret e shoqëruar me pjesëzat mohuese «s», «nuk» para një fjalie a një togfjalëshi për ta dhënë kuptimin e tyre të përafërt ose në një shkallë të lartë (me kuptimin «desh, mend»). Sa nuk ra! Sa s'fluturonte nga gëzimi! Sa s'po qante! Gati sa nuk preku në tokë.
  • 3. Përdoret me trajtën e pashtjelluar të foljeve me «për të..», për të kufizuar kuptimin e tyre e për të dhënë ngjyrimin e nënvlerësimit a të mospërfilljes (me kuptimin «vetëm»). E bënte sa për t'u dukur. U përgatit mirë, jo sa për të kaluar radhën. E tha sa për të larë gojën.
  • Aq sa shih tek AQ. ...e sa diçka më tepër, edhe pak mbi atë sasi (pas një numërori: Njëzet e sa ditë). Për sa ... lidhur me atë që... Sa e sa... shumë, një numër të madh e të përsëritur shumë herë.