rrymë

Nga Wiktionary

RRYMË f.

  • 1. Rrjedhë e vrullshme uji ose e një lëngu tjetër, që lëviz në një drejtim; pjesa më e rrëmbyer në një rrjedhë uji; lëvizje e rrëmbyer e ujit në një lumë, përrua ej. Rrymë e shpejtë (e fortë, e ngadaltë). Rryma e lumit (e ujit). Rryma e gjakut. Shpejtësia e rrymës. Në drejtim të rrymës. Kundër rrymës. Ka rrymë. Ndjek rrymën. E mori rryma. E shpuri (e çoi) rryma. Vjen lumi me rrymë.
  • 2. Rrjedhë e madhe uji, që lëviz në det ose në oqean. Rrymë detare (oqeanike). Rrymë e ngrohtë (e ftohtë). Rrymat e bregut (e gjirit).
  • 3. Ajër ose gaz, që lëviz me forcë si rrjedhë; rrjedhë grimcash, që lëvizin me shpejtësi. Rrymë qarkulluese. Rrymë ajri (ajrore). Rrymë gazi. Rrymë grimcash. Rrymat në atmosferë.
  • 4. elektr. Lëvizje e drejtuar e ngarkesave elektrike; tufë grimcash me ngarkesë elektrike, që lëvizin nëpër përcjellësit. Rrymë elektrike. Rrymë e vazhdueshme. Rrymë tjetërore. Rrymë e fortë (e dobët). Rrymë trefazëshe (shumëfazëshe). Burim rryme. Ka rrymë. Ushqen me rrymë. I ndërpreu rrymën.
  • 5. fig. Lëvizje në një fushë të jetës politike, shoqërore, mendore ose artistike, që ka një program të caktuar veprimtarie ose krijimi, të mbështetur në një botëkuptim, i cili shpreh interesat e një klase a të një shtrese shoqërore në një etapë të caktuar historike. Rrymë e re (e vjetër). Rrymë letrare (artistike, filozofike, politike, ideore). Rrymë përparimtare (reaksionare). Rryma të ndryshme të mendimit shoqëror. Lufta midis rrymave të ndryshme.
  • 6. fig. Rrjedhë. Rrymë njerëzish. Rryma e jetës. Rryma e revolucionit. Në rrymë të... në rrjedhë të...
  • Ecën kundër rrymës vepron në mënyrë të pavarur, në drejtim të kundërt me shumicën, u kundërvihet mendimeve e veprimeve të të tjerëve, që mbizotërojnë në një kohë. E mori rryma shkoi padashur me të tjerët, iu nënshtrua pa kundërshtuar mendimeve e veprimeve të të tjerëve, e mori vala. Shkon pas rrymës bën si bëjnë edhe të tjerët, nuk vepron në mënyrë të pavarur, u përshtatet mendimeve dhe veprimeve të të tjerëve, që mbizotërojnë në një kohë.