rrufe
Appearance
RRUFE f.
- 1. Shkarkim elektrik i fuqishëm që ndodh në ajër në kohë shtrëngate midis dy reve ose një reje e Tokës dhe që shoqërohet me një shkreptimë të fortë drite e me gjëmime. Drita (flaka) e rrufesë. Shkreptimat e rrufeve. Krisma e rrufesë. Ra rrufeja. E goditi rrufeja. E dogji (e vrau) rrufeja. E pret (e thith) rrufenë. Si rrufe me shpejtësi të madhe, vetëtimthi. U përhap (u sul) si rrufe. Me shpejtësi rrufeje. Më ra si rrufe më erdhi krejt e papritur. Të rëntë (të vraftë) rrufeja! mallk.
- 2. kryes. fig. Kërcënim i rëndë; mallkim i rëndë. I hodhi rrufe. E gjuajti me rrufe.
- 3. përd. mb. Që bëhet me shpejtësi shumë të madhe; i menjëhershëm dhe i shkurtër, i rrufeshëm. Mbledhje rrufe. Aksion rrufe. Vizitë rrufe. Pyetje rrufe. Ndeshje rrufe. Luftë rrufe. Grusht rrufe. Trim rrufe trim që lëshohet si vetëtimë mbi kundërshtarin.
- 4. përd. ndajf. Me shpejtësi shumë të madhe, vetëtimthi. Ra rrufe mbi armiqtë. Ecën rrufe.
- Si rrufe (si bubullimë) libr. shih te BUBULLIM/Ë, ~A. Bën be e rrufe shih te BE,~JA. Nuk bie rrufeja (reja) në hithra fj. u. mospërf. shih te HITH/ËR,~RA.