qendër
QENDËR f.
1. gjeom. Pikë e baraslarguar nga të gjitha pikat e një vije të lakuar a të një sipërfaqeje të përkulur; pikë e një figure që ndan në dy pjesë të barabarta çdo vijë që kalon nëpër të. Qendra e rrethit. Qendra e sferës. Qendra e shumëkëndëshit. Heq një vijë nëpër qendër.
2. Pika a pjesa që ndodhet afërsisht në mes të një vendi, të një sendi a të një grumbulli. Qendra e sheshit. Qendra e Tokës. Qendra e rëndesës e një trupi. fiz. E vuri topin në qendër të fushës. sport. Gjuajti nga qendra. Në qendër ndero! usht. sport. E vë në qendër një detal. tek. e vendos një detal në mënyrë që të rrotullohet rreth një boshti të përbashkët me një pjesë tjetër, qendërzoj.
3. Pjesa e qytetit ose e fshatit, ku bashkohen rrugët kryesore dhe ku ndodhen ndërtesat kryesore shoqërore, shtetërore, kulturore etj. Qendra e qytetit (e fshatit). Qendra e kooperativës. Banon në qendër. Shtëpia është larg nga qendra.
4. Ndërmarrje, institucion a një vend tjetër me ndërtesat e me pajisjet përkatëse ose ndërtesë a dhomë e veçantë, ku bëhet një punë a ku zhvillohet një veprimtari e vazhdueshme. Qendër sportive (turistike). Qendër pune (prodhimi). Qendër agjitacioni. Qendër e edukimit politik. Qendër zjarri. usht. Qendër votimi. Qendër banimi vend banimi me ndërtesa të grumbulluara, qytet i vogël ose fshat. Qendër pushimi. Qendër zëri (qendra e zërit) dhomë me pajisje të posaçme në një ndërmarrje, në një shkollë, në një shtëpi pushimi etj., që shërben për të dhënë njoftime, lajme, muzikë etj. me anë të radios ose me të folur.
5. Pjesë me rëndësi e një vendi ose e një krahine, zakonisht qytet, ku zhvillohet një veprimtari kryesore më e gjerë se në pjesët e tjera të vendit a të krahinës; qyteti a shteti ku është përqendruar veprimtaria kryesore për një fushë të caktuar. Qendër industriale (bujqësore, tregtare, ekonomike, kulturore). Qendër administrative.
6. Vendi ku grumbullohet diçka nga të gjitha anët. Qendër komunikacioni. Qendër grumbullimi.
7. Organi a organet më të larta të udhëheqjes e të drejtimit të një veprimtarie shtetërore ose politike kundrejt organeve më të ulëta; qyteti ku ndodhen këto organe më të larta; kund. bazë. Organet e qendrës. Shtypi i qendrës. Udhëzime nga qendra. Ia nisën dokumentet qendrës. Njoftohet nga qendra. Kaloi nga qendra në bazë.
8. Vatra kryesore e një dukurie ose veprimtarie; njeriu, sendi ose dukuria që zë vendin kryesor dhe që shërben si bosht, rreth të cilit vepron a vendoset gjithçka tjetër. Në qendër të romanit. Në qendër të vëmendjes. Vë heroin pozitiv në qendër të një vepre letrare.
9. Vendi ku ndodhet dhe zhvillon veprimtarinë e përhershme një organ; vendi ku banon zakonisht një njeri, cak. Qendër e përhershme (e përkohshme). E ka qendrën në kryeqytet. Njeri pa një qendër të caktuar. Zë një qendër.
10. Pika ose vendi prej ku përhapet në të gjitha anët përreth një dukuri. Qendra e rrezatimit (e përhapjes, e ndikimit). Qendra e tërmetit.
11. Pjesa që ndjek një vijë politike ndërmjet krahut të djathtë e krahut të majtë në parlamentet dhe në partitë borgjeze. Qendra parlamentare. Partitë e qendrës. Politika e qendrës.
12. anat. Grumbullim qelizash (nervore), të cilat së bashku drejtojnë një veprimtari të caktuar të organizmit. Qendra nervore. Qendra e frymëmarrjes. Qendra e gjumit.
- Qendra e gravitetit ana më e rëndësishme në një punë a veprimtari, që luan rolin kryesor dhe që kërkon vëmendje të veçantë.