qëndresë

Nga Wiktionary

QËNDRESË f.

1. Ndalesë që bën një mjet udhëtimi për të hipur a për të zbritur dikush; vendi i ndalesës, qëndrim. Udhëton pa asnjë qëndresë. Zbriti te qëndresa e dytë.

2. fiz., tek. Vetia e një trupi për të përballuar një forcë a një veprim që ushtrohet mbi të pa iu prishur forma ose ndërtimi i brendshëm; qëndrueshmëri. Qëndresë e madhe (e ulët). Qëndresë mekanike. Qëndresa në shtypje (në përdredhje, në tërheqje). Qëndresa e materialeve. Qëndresa e metalit (e drurit, e gurit, e betonit). Ruan (ndryshon) qëndresën. Mat qëndresën.

3. Vetia e natyrshme a e fituar që ka një organizëm për të përballuar lodhjen, mundimin etj. Qëndresa e organizmit. Fiton qëndresë. Kalit qëndresën. I mungon qëndresa.

4. Aftësia për të qëndruar pa u përkulur e me durim kundrejt vështirësive, tronditjeve, fatkeqësive etj. Qëndresë morale. Qëndresë e lartë. Qëndresa është shenjë e burrërisë. Shembull qëndrese.

5. Vetia e dikujt për të qëndruar me këmbëngulje e me vazhdimësi në rrugën që ka zgjedhur ose për të mos hequr dorë nga një mendim, nga një qëllim etj. Qëndresa e karakterit. Qëndresa në punë. Mungesë qëndrese.

6. Mbrojtja me armë e me luftë kundër një sulmi pa u tërhequr e pa u përkulur; kundërshtimi me forcë i dhunës ose i shtypjes, përpjekje për t'i bërë ballë e për të mos iu nënshtruar dikujt. Qëndresë e guximshme (heroike). Qëndresë e ashpër (e fortë, e vendosur, e papërkulur, e pamposhtur). Qëndresë aktive (pasive). Qëndresa popullore. Qëndresa me armë në dorë. Qëndresa ndaj pushtuesve (shtypësve, shfrytëzuesve). Forcat e qëndresës. Bënë qëndresë. Thyej (mposht) qëndresën.