pyes
PYES kal.
1. I drejtohem dikujt me gojë a me shkrim dhe i kërkoj përgjigje për diçka që dua të di prej tij; i bëj pyetje dikujt dhe kërkoj të më thotë mendimin e tij, të më sqarojë për diçka etj. E pyeti për orën (për orarin e mësimeve). E pyeti për shëndetin. Kur nuk kuptoni, pyesni! Përgjigju kur të pyesin! Pyet gjithnjë për ty. E pyeti fije e për pe e pyeti me shumë hollësi. Jo, kot, po pyes! Kush pyet, s'humbet (s'tret). fj. u.
2. Kërkoj të marr një mendim nga dikush, këshillohem me dikë për diçka; kërkoj të njihem me diçka para se të veproj, marr të dhëna; kërkoj leje nga dikush a pëlqimin e tij për të bërë diçka. Pyet, pastaj vepro! E kush e pyet atë? Nuk e pyeti fare. Të paktën ta kishte pyetur!
3. I drejtoj pyetje nxënësit në klasë, e ngre atë në mësim për të kontrolluar përgatitjen ose shkallën e zotërimit të dijeve prej tij. E pyeti me gojë (me shkrim). Sot mësuesi nuk pyeti.
4. jokal. Nuk e marr parasysh, nuk dua t'ia di, s'çaj kokën për diçka (zakon. me pjesëzat mohuese nuk, s'). Nuk pyet për veten (për jetën) e tij. Nuk pyet për rreziqe (për frikë, për lodhje). Nuk pyet ai! Kush pyet për të! As që pyet fare. S'pyet nga ajo anë.
- Lëre (që) mos pyet! shih te LË. Humbi kokën e pyet për flokët fj. u. shih te HUMB. Po s'pate shokun, pyet shkopin! fj. u. është mirë që për çdo gjë të këshillohesh më parë me dikë a të marrësh mendimin e dikujt. Pyet njëqind (shtatë a tetë) vetë, e bëj si di vetë! fj. u. këshillohu me të tjerët, merr mendimin e të tjerëve dhe më në fund vendos vetë për diçka.