Jump to content

pushoj

Nga Wiktionary

PUSHOJ jokal.

1. Lë punën për t'u çlodhur, çlodhem, prehem për ca kohë. Pushoj pas punës. Pushuan nja dy ditë. Pushuam tek ura. Pushoni pak! S'ka pushuar asnjë minutë. Punoi gjithë ditën pa pushuar fare.

2. Kaloj lejen e zakonshme ose pushimet diku. Po pushojnë në plazhin e Durrësit.

3. vet. veta III libr. Është varrosur diku, prehet. Këtu pushon...

4. vet. veta III. Ndalon rrjedhën, zhvillimin e vet etj.; nuk vepron më, nuk punon a nuk bëhet më; nuk është më; nuk dëgjohet më; ndërpritet, ndalet, ngel. Pushoi shiu (breshëri). Pushoi era (stuhia). Pushoi puna. Pushoi lëvizja (lëkundja). Pushoi zhurma. Pushoi motori. Pushoi telefoni. Pushuan trokitjet. Pushoi ora (sahati). I pushoi zemra. Pushuan grindjet. Pushoi lufta. Pushkët s'pushonin. Pushoi së bërtituri (së qari, së foluri). Pushoi së rrahuri zemra e tij vdiq.

5. Nuk flas më, nuk nxjerr më asnjë zë nga goja; hesht (për njerëzit). Pusho ti! Pushoni! Pusho, mos qaj! S'i pushoi goja.

6. kal. E largoj dikë nga një punë, nuk e lë më të kryejë një detyrë, e heq nga puna. E pushuan nga puna (nga detyra). I pushuan të gjithë. E pushuan në vend.

7. kal. Ndërpres një punë, një veprim a një veprimtari etj.; bëj që të ndërpritet rrjedha e diçkaje, zhvillimi i saj etj.; nuk e lë të rrjedhë a të dalë më; e bëj të heshtë a të mos ndihet më; e ndal. Nuk e pushonin këngën (punën). E pushoi vajin (të qarët). I pushoi britmat (ulërimat). I pushoi gjakun. Ia pushuan dhembjet. Pushoje foshnjën! Mundohej ta pushonte të bijën.

8. kal. bised. Çlodh. Ta pushon shtatin.

  • I pushon muhabetit dikush flet ngadalë dhe me mend, i mat fjalët kur flet a bisedon. Nisën vallet kur pushuan daullet shih te VALL/E,~JA.