Jump to content

program

Nga Wiktionary

PROGRAM m.

1. Tërësia e detyrave dhe e punëve të parashikuara për t'u plotësuar në të ardhmen; plan i gjerë që parashikon një punë a një veprimtari të ardhshme dhe ecurinë për plotësimin e saj. Program madhështor ndërtimi. Program pune.

2. Tërësia e parimeve, e tezave, e qëllimeve dhe e detyrave themelore që i ka caktuar vetes një parti politike, një qeveri ose një organizatë shoqërore. Program politik. Programi minimal (maksimal). Programi i qeverisë. Shpalli programin.

3. Përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes dhe e qëllimeve të një lënde mësimore në shkollë. Program mësimor. Programi i historisë (i gjuhës shqipe, i letërsisë shqiptare, i fizikës).

4. Tërësia e pjesëve që luhen në një koncert, në një estradë, në një shfaqje cirku etj.; tërësia e pikave që përmban një veprimtari kulturore e artistike; tërësia e emisioneve që jepen me radio ose me televizion gjatë një dite, një jave etj.; fleta ose libërthi ku janë shtypur sipas një rendi të caktuar këto pjesë, emisione etj. Program muzikor. Program artistik (kulturor). Program televiziv. Program i pasur (i bukur, i shkurtër). Programi i emisioneve të radios. Program me muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve. Program me këngë (me recitime). Programi i shfaqjes. Programi i festivalit.