Jump to content

prek

Nga Wiktionary

PREK kal.

1. Përkas a takoj lehtë me dorë ose me diçka tjetër, çik pak dikë a diçka; arrij ta takoj me dorë, me gishta etj. Preku flokët. Preku murin. E preku në sup (në krah). Prek me dorë (me gisht, me shkop). Prek lehtë (pak). Mos e prek, se e fëlliq! E bardhë është edhe bora në mal, por po ta prekësh mërdhin. fj. u. jo çdo gjë që është e bukur a e ndritshme, është doemos edhe e mirë; pamja të gënjen.

2. edhe jokal. Has a takoj në diçka; çik, përkas; zë. Preku në mur (në tavan). Topi preku rrjetën. Nuk e preku plumbi fare. Anija preku fundin e detit. Preku në fund të lumit. Degët prekin në tokë. Nuk prekte në tokë. Sapo prekën rrezet e diellit në majat e maleve.

3. Vë dorën, gishtin etj. mbi diçka; provoj me dorë a me gisht; marr pak nga një ushqim që hahet për ta provuar ç'shije ka etj., zë me dorë, ngas. I preku pulsin (ballin). E preku me gisht. Mos e prekni bukën (mishin) përpara se ta blini! Nuk e preku fare gjellën (byrekun). Preke pak këtu!

4. vet. veta III fig. Ka të bëjë, lidhet me diçka; përket, çik. Nuk e prekën fare atë çështje në mbledhje. Forcimi cilësor i shkollës prek në radhë të parë brendinë e mësimit dhe të edukimit.

5. Marr diçka që zakonisht nuk më takon; e trazoj a e ngacmoj diçka a dikë me dorë a me diçka tjetër për të luajtur etj., nuk e lë të qetë; ngas. S'e prek gjënë e huaj. Mos i prekni pemët! Ku s'ke vënë mos prek! fj. u. Mos më prek! Qan pa prekur. S'e preku askush. Mos e prek macen, se të gërvisht! Mos e prek gjarprin në bisht, se të ha në gisht! fj. u.

6. fig. Cenoj diçka që mbahet si e shenjtë a e shtrenjtë; shkel diçka që mbrohet nga ligji ose nga shoqëria; vë dorë, cenoj; dhunoj. I preku nderin. U prekën të drejtat. Prek interesat e dikujt.

7. Merrem pak me një punë a me një veprimtari të caktuar (zakonisht me mohim); bëj; mësoj, studioj pak. S'prekte asnjë punë në shtëpi. Nuk e kishte prekur algjebrën fare dje. Nuk preku asnjë mësim. Nuk ka prekur gjë me dorë sot.

8. Bëj ndryshime në një dorëshkrim a në diçka tjetër, vë dorë. E preku thellë romanin. Nuk e ka prekur shumë. I kishte prekur pak këngët popullore të mbledhura nga bashkëpunëtorët.

9. vet. veta III. I bie, e zë, e kap (një sëmundje); i bie dhe e prish pak, e godit, e dëmton, e cenon. E ka prekur tuberkulozi. Sëmundja preku pulat (pëllumbat). I ka prekur vrugu fasulet. I preku bryma domatet. I preku moti i keq (lagështia) pemët.

10. fig. I ngjall dikujt ndjenja të thella, i lë mbresa, e mallëngjej; i shkaktoj dhembje shpirtërore, e shqetësoj shumë, e trondit; e fyej. E preku shumë qortimi i mësuesit. E preku në sedër. Më preku fjala (sjellja) e tij. Na preku të gjithëve ajo ndodhi. Qe një histori që të prekte.

11. vet. veta III. Vepron mbi dikë a mbi diçka dhe lë gjurmë, ushtron ndikim, kap, përfshin, shtrihet, përhapet. Greva preku shumë qytete. Papunësia ka prekur gjithë botën kapitaliste. Kriza ka prekur thellë dollarin amerikan.

12. fig. Shtjelloj shkurt a kalimthi një çështje, një problem etj., flas shkurt për diçka; çek, zë në gojë, përmend. Preku vetëm thelbin e çështjes. Preku shumë gjëra, por nuk u thellua. Këto çështje i prekën parafolësit. Mos e prek atë punë!

  • E preku (e shkeli) në kallo (në lyth) dikë shih te KALLO,~JA. E preku në plagë dikë i përmendi diçka të hidhur a diçka që i shkakton dhembje shpirtërore, i ngacmoi plagën. Ia preku (ia gjeti) telat dikujt shih tek TEL,~I. E preku në tela dikë shih tek TEL,~I. S'e prek tokën dikush

a) mbahet më të madh, e mban hundën përpjetë, i duket vetja se kushedi se ç'është;

b) nuk ka lidhje me masat e gjera, nuk e njeh bazën, jetën e gjallë. I preku xhepin dikujt shih te XHEP,~I. Më preku në zemër (në shpirt) shih te ZEM/ËR,~RA. Ecën (vrapon) pa pre kur në tokë ecën (vrapon) shumë shpejt, fluturon. I preku buza në gaz dikujt buzëqeshi lehtë, vuri paksa buzën në gaz. S'e prek dot as me pupël (as me pendë) dikë shih te PUP/ËL,~LA.