praktik
PRAKTIK mb.
1. Që ka të bëjë me veprimtarinë e gjithanshme konkrete të njerëzve për shndërrimin e natyrës e të shoqërisë dhe për prodhimin e të mirave materiale; që bëhet duke marrë parasysh vetëm praktikën e duke lënë mënjanë teorinë; që i përket praktikës, i praktikës. Veprimtari (punë) praktike. Të dhëna praktike. Trajtim praktik. Zgjidhje praktike.
2. Që ka të bëjë me mjedisin, në të cilin jeton e punon njeriu; që lidhet me jetën, me punën, me prodhimin, me kërkesat e mundësitë për të kryer diçka; që del nga praktika, që fitohet në praktikë. Nevoja (mundësi) praktike. Shprehi (përvojë) praktike. Zbatim praktik. Këshilla praktike për nënat e reja.
3. Që lidhet me praktikën e një shkence ose me punën e organizuar të shkollës për të ngulitur e për të zbatuar njohuritë teorike, për të fituar shprehi të caktuara, për të rritur përvojën etj, që ka për qëllim përgatitjen e njerëzve për një punë konkrete, përvetësimin e një mjeshtërie etj. Njohuri praktike. Lëndë praktike. Mekanika praktike. Kurs (mësim, seminar) praktik. Ushtrime praktike.
4. Që lidhet vetëm me praktikën e diçkaje; konkret. Ana praktike e një çështjeje. Mënyrë praktike.
5. Që përvetësohet, përdoret ose zbatohet lehtë në punë e në jetë për arsye të vetive e cilësive të mira që ka; i dobishëm, i volitshëm; doracak. Mjet praktik. Metodë praktike.
6. Që ka përvojë në jetë e në punë dhe është i aftë e i shkathët t'i zgjidhë mirë detyrat; që nuk merret me teorizime, që i sheh gjërat nga ana e dobisë konkrete. Njeri praktik. Është shumë praktik.