Jump to content

posi

Nga Wiktionary

POSI

I. pj.

1. Përdoret si përgjigje me vlerën e një fjalie, për të shprehur e për ta theksuar pohimin a miratimin për diçka të padyshimtë, të sigurt etj., me kuptimin «po, patjetër, sigurisht». - Do të vish?- Posi. - Desha të bisedoja pak me ju, ka mundësi? - Posi. - Mua më foli? - Ty, posi. - A ka punuar si minator? - Posi, ka qenë nga minatorët e parë. - Të kujtohet? - Posi, posi, më kujtohet mirë.

2. Përdoret në fjali për të përforcuar një pohim a një miratim, për të pohuar me këmbëngulje diçka që është thënë më parë ose për të shprehur me këmbëngulje një urdhër, me kuptimin «pa tjetër, sigurisht, po». - Posi, do të vij. - T'i s'e ke parë atë? - E kam parë, posi. - Thuaja, posi! - Të shkojë posi! - Ke fëmijë? - Kam, posi. - Ke arsye? - Posi, kam, edhe shumë bile. - Kanë ardhur të gjithë? - Kanë ardhur, posi.

3. Përdoret (zakonisht e shoqëruar me pasthirrma, me një intonacion të veçantë) për të shprehur qesëndi, tallje, përbuzje etj. ose për të përforcuar shprehjen e ndjenjave të folësit, me kuptimin «jo, vërtet». Posi more, të vij edhe unë dashke ti! Do ta marrësh, posi, kur të puthësh bërrylin! Posi, posi vetëm për ty do të mendojnë të tjerët!

4. Përdoret (zakonisht e zgjatur dhe me intonacion të veçantë) për të shprehur mosbesim, habi, dyshim etj. për diçka që thuhet. - Posiii, ishte martuar, po kur? - Posiii, me gjithë mend e ke?! - Posiii, ashtu ndodhi vërtet?!

II. lidh. Përdoret për të lidhur fjali që shprehin lloje të ndryshme marrëdhëniesh krahasore a mënyrore ose për të lidhur gjymtyrë që tregojnë mënyrë a krahasim; porsi, sikurse, si. E bardhë posi borë. Posi mollë qe. Ishin posi dy motra.

  • Posi jo përdoret kur folësi dëshiron të miratojë me forcë atë çka është thënë a për të cilën është pyetur ose kur do të theksojë vërtetësinë e diçkaje që dikush e vë në dyshim.