Jump to content

po

Nga Wiktionary

PO I lidh.

1. Përdoret për të lidhur dy fjali të bashkërenditura me marrëdhënie të ndryshme kundërshtore ose dy gjymtyrë të njëjta të një fjalie me marrëdhënie kundërshtore a kufizuese; por. Dukej i vogël, po ishte i rëndë. Lirinë s'jua solla unë, po e gjeta këtu në mes tuaj. Donte të vinte, po s'e lanë. Dua të fle, po nuk më flihet.

2. Përdoret për të lidhur dy fjali ose dy pjesë fjalie, njëra prej të cilave e plotëson a e zhvillon më tej atë që thuhet në tjetrën; por. Ai do të vijë, po pak më vonë. Gruri mbin edhe në lagështirë, po (mbin) me vështirësi. Hëngri, po me masë. Iu kujtua, po me vonesë. E ndihmonte vërtet, po pa qejf.

3. Përdoret, zakonisht së bashku me fjalët «megjithatë», «ende», «përkundrazi», për të përforcuar a për të theksuar më shumë kundërvënien; por. Vështirësitë qenë të mëdha, po megjithatë nuk e thyen. E kishte dëshiruar prej kohësh, po ende (megjithatë) s'e kishte arritur.

4. Përdoret, zakonisht me një ndajfolje kohe ose me një fjalë tjetër që tregon kohë, për të lidhur dy fjali a dy pjesë të një fjalie, njëra nga të cilat (e dyta) shënon një gjendje ose një kohë të re, jo siç ishte parashikuar, kur kryhet veprimi i së pares; por. Arritëm, po kur gjithçka kishte marrë fund. Puna u krye, po një ditë më pas. Do të dalim, po kur të pushojë shiu. Ia solli, po kur ai s'kishte më nevojë.

5. Përdoret së bashku me lidhëzat «edhe», «as» në bashkëvajtje me shprehjet lidhëzore «jo vetëm..., jo vetëm që ..., le që...» për të formuar shprehje lidhëzore bashkërenditëse të shkallëzimit (jo që.., po; jo veç, po; jo vetëm që ..., po edhe; jo vetëm (veç) që ..., po as ...; jo vetëm..., po edhe; le që... po; le që... po as (që); le që..., po edhe). Jo vetëm që e ndërtuan shpejt, po e bënë edhe të bukur. Le që s'e kupton, po as përpiqet më shumë.

6. Përdoret në fillim të një fjalie të pavarur që shpreh një kundërshtim ndaj fjalisë së mëparshme; por. Po vetë e kërkoi. Po unë s'i thashë gjë. Po asnjë s'u ngrit. Po as që kanë për ta pritur.

7. Përdoret në fillim të një fjalie të varur kushtore, që tregon kushtin për realizimin e veprimit të shprehur nga fjalia drejtuese; në qoftë se. Po të kem kohë, do të vij. Po të pëlqeu, mbaje. Po e mbarove librin, sille. Po të kishe nxituar edhe ca, do ta kishe arritur trenin. Po s'punove, s'fiton. Po s'luajte këmbët, s'luan (as) dhëmbët. fj. u. Po s'hëngre hudhra, s'bie erë. fj. u.

8. Përdoret në disa shprehje lidhëzore me kuptim kushtor (po qe se; po qe që; po të jetë se; po të jetë që). Po qe se e gjen, i thuaj se e kërkoj. Po të jetë e vërtetë, njofto edhe të tjerët.

9. Përdoret në fillim të një fjalie me kuptime të ndryshme e me ngjyrime dëshire, urdhri, pyetjeje, habie, pakënaqësie etj. Eh, po të vinte! Po çelësin që e harrova! Erdhëm, po ç'e do, u lodhëm. Po nesër ç'do të bëjmë? Po ky djalë që s'vuri mend!

  • Po deshe të lutem, në mundsh.


PO II pj.

1. Përdoret me vlerën e një fjalie, kur pranojmë a kur miratojmë diçka, kur pajtohemi me atë që thuhet etj.; kund. jo. - Do të shkosh? -! Po. -E kuptove? - Po. Disa po, disa jo. Thotë po e pranon, nuk kundërshton. S' thotë as po as jo nuk vendos. Po apo jo? Po dhe jo.

2. Përdoret kur përforcojmë diçka që është thënë më parë, me kuptimin «patjetër, sigurisht, s'ka dyshim, vërtet»; kund. jo. Po, do të vijë. Po, do ta marr atë. Po, e mirë është. Po, s'ka dyshim që do ta bëjmë. Po, patjetër që do të nisemi.

3. Përdoret para a pas një fjale për të përforcuar kuptimin e saj duke e përsëritur urdhrin, përgjigjen, miratimin etj.; kund. jo. E shikon atë majën e malit? - E shikoj, po. Mua më kërkoi? - Ty, po. E gjeti, po. Po, nisu! Fol, po, ç'pret! E marrim, po, e marrim.

4. Përdoret kur tregojmë diçka, kur përfundojmë një bisedë a përmbyllim një mendim, me kuptimin «kështu, pra, është e vërtetë». Po ja, kështu ndodhi. Po, i tillë ishte ai. Po, ç'do gjë kapërcehet.

5. Përdoret kur gjatë të folurit kujtojmë papritur atë që është thënë më parë ose kur na kujtohet diçka tjetër. Po, m'u kujtua. Po vërtet, ishin dy. Po, ashtu ishte. Ku e patëm fjalën? Ah po, te gazeta e sotme.

6. Përdoret zakonisht në krye të fjalisë për t'i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit që ai të ndalet e të mendojë më mirë për diçka. Po, ta thashë që ta shohësh edhe njëherë. Po, për të mirën tënde e kam.

7. Përdoret, edhe e shoqëruar me pasthirrmë, për të shprehur habi, mosbesim, mospërfillje, qesëndi, përçmim, pakënaqësi etj. Po more, e ditke ti! Po moj, vërtet thua?! Pooo, dashke edhe më! Pooo, s'i pëlqyeka atij!

8. Përdoret në fjalitë pyetëse kur duam të përforcojmë e të mbështetim pyetjen. Po si je? Po ç'të bëjmë sipas teje? Po sa vetë ishin? Po kush ta tha?

9. bised. Përdoret në fund të një fjalie pyetëse me ngjyrim dyshimi për të përsëritur pyetjen ose për të nxjerrë atë që kërkohet nëpërmjet përgjigjes së bashkëbiseduesit, me kuptimin «apo jo?». Ti do të vish, po? Do ta lexosh librin, po? Ti je me ne, po? Ai mbeti i kënaqur, po?

10. Përdoret për të theksuar se është fjala për të njëjtin njeri, send etj.; pikërisht; krejt; gjithashtu. Po ai njeri. Po ajo gjë. Gjithnjë po kështu. Po atë ditë erdhi dhe ai. Po në të njëjtën mënyrë. Bathë, bathë, po një kokërr të njëjtën gjë përsërit, aty mbeti.

11. Përdoret përpara foljeve në kohën e tashme dhe në të pakryerën e mënyrës dëftore, nganjëherë edhe të mënyrës habitore, kur shprehim veprime që zgjatin, që janë duke u shtjelluar në çastin e ligjërimit ose në të njëjtin çast me një veprim tjetër. Po shkruaj. Po bie shi. Po perëndonte dielli. Po dilte kur hyra unë. Po mbushet viti që nga ajo ditë. Po i pëlqyeka shumë. Po e merr me të qeshur.

12. si em. ~, ~JA f. ~, ~TË. Pohim; miratim, pranim. Bëri «po» me kokë. Shqiptoi një po nëpër dhëmbë. Ponë e ka po.

  • E po... përdoret kur duam të kundërshtojmë lehtë e me kujdes, kur duam të përmbyllim një mendim, kur duam të arsyetojmë për diçka ose kur pajtohemi më në fund me diçka. Po e po... ( po se po...; po që po...) përdoret kur folësi dëshiron të miratojë a të vërtetojë diçka me forcë.