plan

Nga Wiktionary

PLAN I m.

1. Lloj vizatimi që paraqet me anë vijash e shenjash të posaçme dhe në një shkallë shumë të zvogëluar një sipërfaqe të vogël toke, hartë e shkallëzuar; vizatim që paraqet në përmasa zakonisht të zvogëluara pamjen nga një anë ose prerjen sipas një rrafshi të një sendi, të një ndërtese, të një pajisjeje etj., që do të ndërtohet a do të prodhohet; skicë. Plan topografik. Plani i qytetit. Plani i ndërtesës. Plani i bibliotekës. Plani i vendit. Shkalla e planit. Zbatoj planin.

2. Tërësi masash të menduara e të caktuara që më parë, që parashikojnë ecurinë a mënyrën e zhvillimit të një pune a veprimtarie, vëllimin e afatet e saj etj. Plani i punës. Plani i mbjelljeve (i ndërtimeve). Plani i punës edukative. Plani i stërvitjes. Punë me (pa) plan. Punojnë (ecin) me plan. Bën plane në hava. keq., bised.

3. ek. Tërësia e detyrave, e treguesve dhe e mjeteve për plotësimin e tyre, që përcaktohen a përllogariten që më parë për zhvillimin e harmonishëm e përpjesëtimor të ekonomisë e të kulturës gjatë një periudhe të caktuar në shoqërinë socialiste; dokumenti ku janë shënuar këto detyra e masa. Plani vjetor (tremujor, mujor). Plani perspektiv plani për disa vjet në të ardhmen. Plani i parë (i dytë, ... i gjashtë) pesëvjeçar. Plan ekonomik (financiar). Plan shtetëror. Plan shkencor. Plan real (mobilizues, i guximshëm). Plani i shtetit. Plani i prodhimit (i shpërndarjes). Treguesit e planit. Dega (zyra) e planit. Komisioni i Planit të Shtetit. Hartimi i planit. Ekonomi pa plan. Shtroj (diskutoj) një plan. Miratoj planin. E plotësuan (e tejkaluan) planin. E mbyllën planin. Prodhojnë mbi planin.

4. Përmbledhje paraprake e një mësimi, e një studimi etj., e cila përmban pikat ose vijat kryesore, ecurinë e shtjellimit a të hartimit etj.; skicë. Plani i orës së mësimit. Plani i hartimit. Plani i copës së leximit. Pikat e planit. Bëj planin.

5. fig. Qëllimi a synimi që duam të arrijmë dhe që e parashikojmë që më parë. Plan i guximshëm. Planet mashtruese (grabitqare, djallëzore) të armikut. Plane të errëta. Thuri (kurdisi) plane të reja. Ia prishën planet. S'i doli plani.

6. Fusha e veprimtarisë ose lëmi i shfaqjes së diçkaje; mënyra e shqyrtimit të diçkaje, drejtimi a këndi me të cilin e shohim; rrafsh (zakonisht në tog me parafjalën në). Në planin ekonomik (politik, ideologjik, teorik, moral, shoqëror). Në plan të brendshëm (të jashtëm). Në planin kombëtar (ndërkombëtar, botëror). Në planin kohor (historik). Del në dy plane.

7. Vendndodhja e një sendi a e një objekti lidhur me largësinë e tij nga shikuesi. Vinte më prapa, në plan të dytë. Janë në një plan.

8. fig. Vendi që zë dikush a diçka sipas rëndësisë që ka (kryes. me një numëror rreshtor). E nxori në plan të parë. E vuri në plan të dytë. Kalon në plan të fundit.

9. gjeom. Rrafsh. Plan i pjerrët (pingul, horizontal). Plane paralele. Plani i meridianit. Plani i ekuatorit. Drejtëzat e një plani.

  • Kam në plan mendoj, kam parashikuar. Kam vënë në plan kam ndërmend, mendoj, synoj. I vë në plan libr. i quaj njësoj, i barazoj dy a më shumë njerëz, sende etj.


PLAN II m.

Zdrukth i madh që përdoret për të rrafshuar faqen e parë të dërrasës, zdrukth për drejtim. Sheshoj me plan.