piramidë
PIRAMIDË f.
1. gjeom. Trup gjeometrik që ka për bazë një trekëndësh a një shumëkëndësh dhe për faqe anësore aq trekëndësha dybrinjënjëshëm sa brinjë ka baza, të cilët bashkohen lart në një kulm. Piramidë e rregullt piramidë që ka për bazë një trekëndësh ose një shumëkëndësh të rregullt. Piramidë trekëndëshe (trekëndore) piramidë që ka si bazë një trekëndësh. Trung piramidë. Faqet e piramidës. Baza e piramidës. Vëllimi i piramidës. Kulmi i piramidës. Në trajtën e një piramide. Gjej sipërfaqen e piramidës. Ngrihet si një piramidë.
2. hist. Ndërtesë e madhe me blloqe guri, me bazë katrore dhe me katër faqe anësore në trajtë trekëndëshi dybrinjënjëshëm e të bashkuara sipër në një kulm, që shërbente si varr për faraonët e Egjiptit të lashtë. Piramida e Keopsit.
3. Bllok a shtyllë e ulët prej guri, prej çimentoje etj., që vjen sipër më e ngushtë dhe që vihet si shenjë në vijën e kufirit midis dy shteteve. Piramidat kufitare (e kufirit). Piramida nr. 243. Ruajnë natë e ditë pranë piramidave. Kapërceu piramidën kaloi vijën e kufirit.
4. sport. Figurë që bëhet nga gjimnastë ose nga akrobatë, të cilët vendosen njëri mbi tjetrin në radhë e në mënyra të ndryshme. Bënë piramidën.