Jump to content

piqem

Nga Wiktionary

PIQEM I vetv

1. vet. veta III. Bëhet i gatshëm për t'u ngrënë pasi zbruhet e rreshket në furrë ose në zjarr. U poqën bukët. U poq mishi. U poq byreku (lakrori). U poqën patatet (specat). U poq kafeja.

2. vet. veta III. Bëhet më i fortë, më i qëndrueshëm, më i ngjeshur etj. në furrë ose në një vend të mbyllur me temperaturë të lartë. U poqën tullat (tjegullat, shtambat, qypat). U poq gëlqerja.

3. vet. veta III. Arrin zhvillimin e vet të plotë (një pemë, drithi etj.) dhe është në kohën më të mirë për t'u vjelë, për t'u korrur a për t'u përdorur. U poq gruri. U poqën mollët (fiqtë). U poq rrushi. U poqën pjeprat. U poqën para kohe (vonë). S'është pjekur mirë.

4. fig. Nxehem shumë e skuqem a rreshkem duke qëndruar në diell pranë zjarrit etj., thekem. U poqëm në diell (pranë zjarrit). U poq nga këmbët.

5. vet. veta III. Mbledh qelbin plaga, arrin në një fazë kur, pasi ka mbledhur, është gati të çahet; arrin në fazën kur e nxjerr këlbazën. U poq çibani (lunga). M'u poq kolla.

6. fig. Bëhem i aftë për jetën a për një veprimtari, duke fituar përvojën e njohuritë e nevojshme, duke u kalitur etj.; arrij moshën e pjekurisë. Është pjekur shpejt ai djalë. U poq para kohe. Janë pjekur politikisht (ideologjikisht).

7. vet. veta III. Arrin kulmin ose pikën më të lartë të zhvillimit (një gjendje, një dukuri etj.); arrin në një gjendje kur është gati të shpërthejë e të veprojë për të sjellë ndryshime të reja cilësore. U poqën kushtet për diçka. U poq situata revolucionare. U poqën kushtet ekonomike (politike). U poq revolucioni.

8. Pës. e PJEK I.

  • Piqet (digjet) në prush për dikë shih te PRUSH, ~I. Nuk piqet buka me shkarpa fj. u. shih te SHKARP/Ë,~A. Sheh rrushi rrushin (fiku fikun) e piqet fj. u. shih te RRUSH,~I. Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet fj. u. shih te MISH,~I.


PIQEM II vetv. bised.

1. Takohem me dikë; ndeshem me dikë. U poqëm me një mik. Po vete të piqem me një shok. Piqej me njerëz të ndryshëm. Mirë u pjekshim! (u pjekshim me të mira)! ur. U poqën ballë për ballë. U poqën rrugës. Mali me malin nuk piqet, njeriu me njeriun piqet. fj. u.

2. vet. veta III. Takohet një gjë me një tjetër; ndërpritet. Vija ku duket se piqet toka me qiellin. Dy vija që piqen.

  • Më piqet gjaku me dikë shih te GJAK,~U I. U pjek ylli shih tek YLL, ~I. U poq (u puq) qielli me detin shih te QIELL,~I.