paralel
Appearance
PARALEL m. gjeogr.
- Secili nga rrathët e përfytyruar të lëmshit të Tokës, që shkojnë paralel me ekuatorin në të dy anët e tij deri te polet dhe që shërbejnë për të përcaktuar gjerësinë gjeografike. Paralelet dhe mesditësit. Në paralelin pesëdhjetë. Kaluan (kapërcyen) paralelin. Shqipëria është ndërmjet paraleleve 39 gradë e 38 minuta edhe 42 gradë e 39 minuta të gjerësisë veriore.
PARALEL mb.
- 1. gjeom. Që ndodhet në të njëjtin rrafsh e ballë për ballë me një tjetër, duke i pasur të gjitha pikat të baraslarguara prej tij dhe që nuk takohet me të sado të zgjatet më tej. Drejtëza (vija) paralele. Plane paralele. Brinjë (faqe) paralele.
- 2. Që ndodhet a që zgjatet krahas një tjetri pak a shumë në po atë drejtim dhe me po atë largësi ndërmjet. Rrugë paralele. Radhë paralele. Shtylla paralele.
- 3. Që zhvillohet a që bëhet në të njëjtën kohë me një tjetër, që bëhet krahas me një tjetër a njëkohësisht me të; që është i ngjashëm a që përputhet me një tjetër. Punë paralele. Mbledhje paralele. Studime paralele. Mendime paralele.
- 4. Që bën të njëjtën punë a veprimtari me një tjetër. Klasë paralele. Linja prodhimi paralele.
- 5. Që bëhet ndërmjet njerëzve, të cilët janë të së njëjtës shkallë a detyrë. Kritikë paralele. Kontroll paralel.
- 6. si ndajf. Paralelisht. Punojnë paralel. I bën dy punë paralel. Ecin (shkojnë) paralel.
- Lidhje paralele (në seri) elektr. shih te LIDHJ/E,~A 12.