përvëloj
PËRVËLOJ kal.
1. Djeg keq me ujë të valuar a me një lëng tjetër shumë të nxehtë; djeg shumë e menjëherë, përcëlloj; djeg me një lëndë kimike etj.; e bëj të ketë shumë të nxehtë a zjarrmi të madhe. E përvëloi me ujë. Më përvëloi gojën (gjuhën). Më përvëloi duart. I përvëloi cigarja buzët. Përvëloi lëkurën me acid. Plehu i përvëloi bimët. Na përvëloi dielli. E përvëluan ethet.
2. I hedh ujë të valuar për t'i hequr puplat më lehtë. Përvëloj pulën (gjelin e detit).
3. Ziej në ujë të nxehtë për ta larë (për rrobat). Përvëloj rrobat (çarçafët).
4. I hedh një gjelle lyrë të skuqur; i hedh përsipër shurup të nxehtë një ëmbëlsire për ta zbutur dhe për ta ëmbëlsuar më shumë. Përvëloj pilafin (makaronat). Përvëloj me gjalpë (me vaj). Përvëloj bakllavanë (kadaifin). Përvëloj me shurup.
5. edhe jokal. vet. veta III. Më djeg shumë; kam therje a pickime të forta. E përvëloi piperka. I përvëloi fytin duhani. Na përvëloi tymi sytë. Më përvëlon goja (gryka). Më përvëlojnë sytë për gjumë. Më përvëlon krahu nga gjilpëra. Më përvëlon plaga.
6. edhe fig. E djeg dhe e shkatërroj; i shkaktoj një dëm të madh a një fatkeqësi; e djeg keq dikë për një faj a për një gabim. Pushtuesit përvëluan fshatra e qytete (na therën e na përvëluan). E përvëloi mirë një herë.
7. fig. E zhduk me rrënjë një të keqe, e djeg diçka dëmtare e që pengon ecjen përpara, e bëj shkrumb e hi. Përvëluan zakonet prapanike. I përvëluan në zjarrin e revolucionit.
8. fig. E bëj dikë të vuajë shumë shpirtërisht, ia djeg zemrën. Na përvëloi zemrën (shpirtin). Na përvëloi vdekja e tij. Më përvëloi me atë që bëri.
- Iu përvëlua (iu dogj, iu zhurit) zemra (shpirti) për dikë a për diçka shih te ZEM/ËR,~RA.