Jump to content

përmbajtje

Nga Wiktionary

PËRMBAJTJE f.

  • 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve PËRMBAJ, PËRMBAHEM. Përmbajtja e zemërimit (e gëzimit). Përmbajtja e vetvetes.
  • 2. filoz. Tërësia e përbërësve, e proceseve dhe e funksioneve të një sendi a të një dukurie të botës që shprehet me një formë të caktuar; brendi. Përmbajtja dhe forma. Përmbajtja ideologjike (ideore) e veprës. Lidhja e pashkëputur ndërmjet formës dhe përmbajtjes. Njësia e formës dhe e përmbajtjes. S'ka formë pa përmbajtje dhe s'ka përmbajtje pa formë.
  • 3. Shfaqjet e larmishme të jetës, të pasqyruara me mjete të posaçme shprehëse në një vepër letrare a artistike, brendia e një vepre letrare a artistike, e një artikulli shkencor, e një teksti etj.; ajo për të cilën flitet në një vepër etj. Përmbajtja e romanit (e tregimit, e librit). Përmbajtja e pikturës. Përmbajtja e operës (e baletit). Përmbajtja e letrës (e lutjes, e kërkesës). Përmbajtja e mësimit. Përmbajtja e bisedës. Ka përmbajtje tërheqëse (të shëndoshë, të dobët). E ka pasuruar (përmirësuar) përmbajtjen.
  • 4. Sasia e një lënde që hyn si pjesë përbërëse e diçkaje; prania e diçkaje në një vend. Mineral me përmbajtje të lartë kromi (hekuri, alumini). Ç'përmbajtje sheqeri ka ky panxhar?
  • 5. Pasqyra e lëndës në fund të një libri.