Jump to content

përgjigje

Nga Wiktionary

PËRGJIGJE f.

  • 1. Fjalët që i thuhen a i shkruhen dikujt, pasi na ka drejtuar një pyetje ose na ka kërkuar diçka; përmbajtja e këtyre fjalëve dhe mënyra se si ia themi tjetrit; letër që përmban këto fjalë. Përgjigje e shpejtë (e nxituar, e menduar, e plotë, e qartë, e paqartë, e ngrohtë, e ftohtë). Telegram me përgjigje (të paguar). I dha (i ktheu) përgjigje. Mori përgjigje. Mbeti pa përgjigje. Pres përgjigjen. I erdhi përgjigjja e shkresës.
  • 2. Shtjellimi i mësimit që kërkon mësuesi nga nxënësi kur kontrollon përgatitjen e tij a shkallën e zotërimit të dijeve. Përgjigje e plotë (e mirë, e gabuar). Përgjigje me gojë (me shkrim). Po jep përgjigje po përgjigjet në mësim.
  • 3. Përfundimi i arritur pas shqyrtimit a studimit të diçkaje; zgjidhje. Përgjigjja e analizave. I jap përgjigje një problemi. Çështja pret (kërkon) përgjigje.
  • 4. Diçka që bëhet si kundërveprim a në kundërshtim me një gjë tjetër e që shpreh qëndrimin tonë ndaj saj; veprim që vjen si pasojë e diçkaje. Përgjigje me zjarr artilerie. I dhanë armikut përgjigjen e merituar.
  • 5. Fjali a arsyetime pa vend që shpreh dikush kur i hiqet vërejtja për diçka; kundërshtim. Nuk i kthen përgjigje prindit (mësuesit).
  • Në përgjigje të... libr. duke iu përgjigjur... E ka përgjigjen në majë të gjuhës përgjigjet shpejt, aty për aty, ta kthen menjëherë.