përforcoj
Appearance
PËRFORCOJ kal.
- 1. E bëj një gjë më të fortë e më të qëndrueshme, duke i vënë mbështetëse, një shtojcë ose diçka tjetër të re. Përforcoj muret (gardhin). Përforcoj me trarë. Përforcoj galerinë me armatesa (me armatura). Përforcoj urën me këmbë betoni. Përforcoj fillin e leshit me pe. I përforcoi gjunjët e pantallonave.
- 2. usht. Pajis me mjete të tjera mbrojtëse, me fortifikata etj.; forcoj më shumë një vend, një repart etj. duke shtuar trupat ose mjetet luftarake. Përforcuan bregdetin (ishujt). Përforcuan kufijtë. I përforcuan rojat e shtuan numrin e rojave. I përforconin kështjellat me kulla. Përforcoj mbrojtjen (sulmin). Përforcoj repartet këmbësore.
- 3. fig. Mbështet një tezë, një mendim, një pikëpamje etj., sjell të dhëna e argumente të reja që e bëj në diçka më të besueshme e më bindëse; e bëj diçka më të sigurt e më të qëndrueshme. Përforcoj mendimin se... E përforcoi pohimin (tezën) e tij me shifra e krahasime.
- 4. fig. Ngulit më mirë dijet në mendjen e nxënësve, duke përsëritur gjërat kryesore; ia shtoj, ia bëj më të fortë dikujt një dyshim, një dëshirë, një synim etj. Përforcoj mësimin. Ushtrime për të përforcuar dijet e nxënësve. Ia përforcoi dyshimet (dëshirën).
- 5. fiz.,elektr. E bëj më të ndjeshëm, më të dukshëm a më të kapshëm një sinjal etj., duke përdorur një vegël të posaçme; bëj që t'i shtohet fuqia një rryme elektrike a një dukurie fizike në përgjithësi; i shtoj shkallën e intensitetit. Ia përforcoi sinjalet (zërin). E përforcoi rrymën. E përforcoj dritën. Ia përforcoi ngjyrën.
- 6. kryes. veta III gjuh. E thekson a e vë më mirë në dukje kuptimin e një fjale, ka vlerë përforcuese. Përforcon kuptimin (ngjyrimin). Përforcon mohimin.