njollë
Appearance
NJOLLË f.
- 1. Një vend i vogël me ngjyrë pak më të ndryshme nga pjesa tjetër e një sipërfaqeje njëngjyrëshe, pullë. Njollë e ndritshme (e errët). Me një njollë të bardhë në ballë. Njolla drite. Njollë e verdhë. anat. pjesë e retinës së syrit ku ndjeshmëria ndaj dritës arrin shkallën më të lartë. Njollat e Diellit (e Hënës, e një planeti) pjesë që na duken me ngjyrë pak si në të errët në sipërfaqen e këtyre trupave qiellorë. Njollat e barrës preka a pikla që i dalin në fytyrë një gruaje shtatzënë. I dolën njolla.
- 2. Pjesë e vogël e fëlliqur në sipërfaqen e diçkaje, shenjë që mbetet në vendin e ndotur, zakonisht me yndyrë, me pije, me lëngje pemësh, me bojë etj. Njollë e fortë (e zbehtë, e re, e vjetër, e dukshme, e padukshme). Njollë yndyre (vaji, nafte, frutash, vere, boje). Njolla gishtash (këmbësh). Është bërë me njolla. Heq njollat. I doli (i iku) njolla.
- 3. fig. Veprim a sjellje që cenon ose që prek nderin a emrin e mirë të një njeriu, diçka që e errëson punën e dikujt, diçka jo e ndershme a e turpshme; gabim a faj i rëndë që ka bërë dikush dhe që është dënuar nga shoqëria. Njollë e pashlyeshme (e vjetër). Njollë turpi. Njollë politike. Jetë pa njolla. Njeri me njollë. Iu vu (i mbeti) një njollë. I ngjitën një njollë.
- 4. fig. kryes. Mbeturinë ose ndikim i dëmshëm i botëkuptimit, i ideologjisë e i moralit të shoqërisë së vjetër në ndërgjegjen e njerëzve të shoqërisë sonë socialiste. Njolla të botës (të shoqërisë) së vjetër. Lufta kundër njollave të huaja. Shlyejmë (heqim) njollat.
- Njollë e bardhë shih te BARDHË (i,e). Njolla të zeza shih te ZI (i), ZEZË (e). Edhe dielli ka njolla libr. thuhet kur duam të theksojmë se nuk ka asgjë a asnjeri fare të përsosur e pa asnjë të metë. Iu vu (i mbeti) njolla në bojë u bë me turp, i mbeti turpi përgjithnjë.