Jump to content

njoh

Nga Wiktionary

NJOH kal.

  • 1. Fitoj dije të përpikta për sendet e dukuritë e botës që na rrethon, duke hyrë në thelbin e tyre dhe duke zbuluar lidhjet e tyre të brendshme objektive. Njoh botën. Njoh jetën. Njoh ligjet e zhvillimit.
  • 2. Kam fituar ose fitoj njohuri të gjithanshme për një fushë, për një vepër a tërësi veprash ose për një mjeshtëri të caktuar, duke studiuar ose në bazë të përvojës; zotëroj, kam dijeni të përpikta për diçka, e di mirë diçka. E njeh mirë letërsinë shqiptare (folklorin, muzikën popullore). E njeh mirë veprën e Naim Frashërit. E njeh mirë punën (zanatin) e vet. Njoh një gjuhë të huaj. Njoh botën e fëmijëve. I njoh njerëzit. E njeh gjendjen. E njoh me pëllëmbë atë krahinë. Nuk e njoh këtë metodë. E njoh në majë të gishtave. E njoh me rrënjë e me degë e di thellë e me imtësi.
  • 3. E di se kush është, di një varg gjërash kryesore nga jeta e dikujt; e kam parë a e kam takuar vetë dikë dhe i mbaj mend fytyrën e tij a tiparet e tij dalluese. A më njeh? Nuk e njoh këtë lojtar. E njoh mirë (pak, nga afër). Njeh shumë ka shumë të njohur. E njoh me emër. E njohin edhe gurët. E njoh me rrënjë e njoh shumë mirë.
  • 4. Shquaj, dalloj, e gjej se kush a cili është, ç'gjë është a e kujt është (kryesisht në bazë të shenjave të jashtme). E njoha nga zëri (nga të folurit, nga të ecurit). E njoha nga flokët (nga sytë, nga shenja në ballë). I njoh gjërat e mia. E njoh pushkën time. Mezi e njoha fshatin ku kam lindur.
  • 5. E kuptoj mirë se kush është, e zbuloj nga të gjitha anët, bindem plotësisht se ç'njeri është. Ende s'e ke njohur kush është? Do të më njohësh më vonë. E kush e kishte njohur! Kur m'u dogjën mullarët, njoha miqtë e kumbarët. fj.u.
  • 6. Di të përcaktoj mirë vetitë e cilësitë e një sendi, të një kafshe, të një dukurie etj. E njeh rakinë (verën). I njeh pjeprat. I njeh bimët mjekësore (kërpudhat). I njeh qengjat (kuajt). E njeh tokën. E njeh kohën. Ku di të njohë ai!
  • 7. Provoj në jetë, e vuaj vetë, përjetoj. Ka njohur shtypjen e shfrytëzimin. Nuk ka njohur gëzim. Nuk ka njohur brengë (hidhërim). Njeh vetëm fitore.
  • 8. Përfill, pranoj, marr parasysh, kam (zakonisht në ndërtime mohore). Nuk njeh lodhje. Nuk njeh kufi. Nuk e njeh frikën.
  • 9. I paraqit dikujt dikë, i them se kush është. E njohu me shokët.
  • 10. Bëj të ditur, vë në dijeni; bëj që dikush të ketë dijeni rreth diçkaje. Njoh lexuesit me përmbajtjen e një libri. Njoh dëgjuesit me programin e emisioneve (me përbërjen e skuadrave, me përfundimet e ndeshjeve).
  • 11. Pranoj; e quaj të ligjshëm, e pranoj si të vërtetë, të drejtë a të meritueshëm. E njohën qeverinë (shtetin e ri). Njoh të drejtat (meritat) e dikujt. E njohën zyrtarisht. E njohën për kryezot. vjet. Ia njohën atësinë. Nuk e njeh për vëlla (për baba, për bir). E njohu gabimin.
  • 12. Kam përshtypjen a bindjen se dikush zotëron veti a cilësi të caktuara, e quaj ose e vlerësoj si të tillë a të këtillë. E njoh për trim (për burrë të mirë). E njoh për të zgjuar. Nuk e njoh për njeri të tillë.
  • Nuk e njeh historia shih te HISTORI,~A. Ia njoh kokën dikujt keq. shih te KOK/Ë,~A 4. Ia njoh (ia di) burmat (vidhat) dikujt shih te BURM/Ë, ~A I. Ia njoh beben e syrit dikujt shih te BEB/E, ~JA II. Ia njoh dhëmbë e dhëmballë shih te DHËMB,~I. Ia njoh (ia di) fundin e barkut shih te BARK,~U. Njeh (di) zhurin e detit shih te ZHUR,~I. Vampiri e njeh lugatin fj.u. shih te VAMPIR,~I. Nuk e njeh (nuk e merr vesh) i pari të dytin shih te PARË (i,e). S'e njeh qeni të zotin shih te QEN,~I.