nerv
Appearance
NERV m.
- 1. anat. Tufë fijesh të holla të përbëra prej qelizash të posaçme me ngjyrë të bardheme, që lidhin trurin dhe palcën e kurrizit me shqisat ose me organet e tjera të trupit dhe që shërbejnë për të përçuar ngacmimet në të dy drejtimet. Nervi pamor (dëgjimor). Nervat e dorës (e faqes). Fundi i nervit. Prek në nerv, vuan nga nervat.
- 2. vet. fig. Gjendja e përgjithshme e njeriut, sjellja, qëndrimi a ndjeshmëria që varen nga gjendja e acaruar e sistemit nervor. Lojë nervash. Krizë nervash. I ngriti nervat e nevrikosi, e zemëroi. I acaroi (i prishi) nervat. I hipën (iu ngritën) nervat u nevrikos, u zemërua. Është njeri me nerva zemërohet shumë lehtë. Është gjithë nerva është shumë i nevrikosur; i ka hipur në kokë. I prishi nervat me dikë u zemërua keq me dikë, që nuk e dëgjon a nuk i bindet. E bëri me nerva diçka e bëri diçka duke qenë i nevrikosur.
- 3. vet. fig. Tërësia e energjive, të brendshme, që vë në veprim njeriu për të arritur diçka. Tendos nervat. Me nerva të tendosur.
- 4. vet. fig. Aftësia për t'u bërë ballë ngacmimeve të jashtme, që varet nga gjendja e sistemit nervor. Ka nerva të fortë (të çeliktë, të dobët).
- 5. vet. nj. fig. Forcë e brendshme për të shprehur diçka; energji e përqendruar, fuqi. Nerv poetik (dramatik). Përshkrime (tregime) pa nerv. Gjuhë plot nerv. Me nerv dhe guxim.
- 6. vet. nj. fig. Pjesa më e rëndësishme, thelbi i diçkaje. Nervi qendror (i një mendimi). Nervi jetik. E preku në nerv çështjen (problemin).