Jump to content

natyrë

Nga Wiktionary
Wikipedia ka një artikull për fjalën:

NATYRË f.

  • 1. Gjithësia me tërë sendet dhe qeniet, e cila zhvillohet sipas ligjeve të caktuara, bota organike dhe joorganike. Natyra e gjallë bota organike. Natyra e vdekur bota joorganike. Forcat e natyrës. Ligjet e natyrës. Dukuritë e natyrës. Studimi i natyrës. Shkencat e natyrës fizika, kimia, biologjia, matematika etj. Dituri natyre. Nënshtrimi i natyrës nga njeriu.
  • 2. Mjedisi në të cilin rron njeriu në Tokë, me të gjitha qeniet e gjalla dhe sendet pa jetë. Mbrojtja e natyrës. Vështirësitë e natyrës. Fatkeqësitë e natyrës. Kalendari i natyrës. Qarkullimi i ujit në natyrë.
  • 3. Pamja e një vendi me malet, fushat, lumenjtë, bimësinë etj.; vend jashtë qytetit. Natyrë e bukur (e egër, e ashpër). Natyra shqiptare. Në gjirin e natyrës. Jashtë në natyrë. Mësim në natyrë. Dolën në natyrë. Jeton në natyrë.
  • 4. fig. Tërësia e vetive kryesore të brendshme, që përcaktojnë thelbin e diçkaje; veti thelbësore që e dallon diçka, thelbi. Natyrë klasore. Natyra agresive e imperializmit. Natyra e rendit (e sistemit, e shtetit). Natyra e kontradiktave (e dukurive). Natyra e pyetjeve. Natyra e një sëmundjeje. Zbulon (fsheh) natyrën e vet. Nuk e ndryshon natyrën.
  • 5. edhe ~A, ~AT fig. Tiparet themelore të karakterit të njeriut, zakonisht të lindura ose të ngulitura; njeri me tipare të përcaktuara të karakterit. Natyrë e gjallë (e butë, e vrazhdë, e gëzuar). I qetë (i qeshur, i rrëmbyer) nga natyra. E ka në natyrën e vet. I pëlqen prej natyre.
  • 6. edhe ~A, ~AT fig. Lloj i diçkaje, që përcaktohet nga disa tipare. Natyra e re e punës. Raste (dukuri) të kësaj natyre. Pyetje (çështje) të kësaj natyre. Të një natyre.
  • 7. art. Send, qenie e gjallë ose pjesë e mjedisit, që shërben si model për një vizatim, një skulpturë etj. E vizatoi nga natyra.
  • Në natyrë ek. që paguhet a që merret si mall ose si prodhim në vend të të hollave (për të ardhurat, pagën, shpërblimin, tatimin). I është bërë natyrë e dytë i është rrënjosur në gjak, i është bërë veti a tipar i ngulitur. Natyrë e qetë art. vizatim ose pikturë që paraqet sende pa jetë ose lule, fruta etj.