na

Nga Wiktionary

NA I

  • 1. Trajtë e shkurtër e përemrit vetor NE në rasat dhanore e kallëzore. Na tha se... Na dha librat. Na jep zemër. Na gëzoi pa masë.
  • 2. Përdoret në rasën dhanore për të shprehur një farë qëndrimi të afërt të folësit ndaj asaj që ndodh, për të përforcuar shprehjen e veprimit ose për ironi. Na ishte ç'na ishte. Na shkon aty një plak. Na u kthye dimri. Pa shiko ç'na qenka!


NA II pasth. bised.

  • 1. Përdoret kur i japim dikujt diçka, me kuptimin «merre», «urdhëro». Na librin. Na merre. Na edhe një.
  • 2. Përdoret për të tërhequr vëmendjen e dikujt ose për ta thirrur. Na, more ti! Na, moj vajzë, eja këtu!


NA III pj.

  • 1. Përdoret kur duam të vëmë në dukje diçka që nuk e pritnim ose nuk e dëshironim; ja. Na edhe një përrua të pret udhën. Të dëgjoja ty e, na tashti, se ç'më gjeti.
  • 2. Përdoret për të vënë në dukje një send, një gjendje a një veprim me përmasa që na habitin (në kuptimin «kaq, aq», duke e shoqëruar zakonisht me lëvizje të duarve). E kishin gjoksin na-a! Na ta bësh dhëmbin! I hapi sytë na!
  • 3. Përdoret në shprehjet që shoqërojnë lëvizjen e pëllëmbës kur i japim dikujt munxët. Na, të plaçin sytë!