mykë
Appearance
MYKË f.
- Pjesa e trashë e një mjeti prerës në të kundërtën e tehut, ana që nuk pret; pjesa e prapme e sqeparit, e sëpatës etj., e trashë dhe e sheshtë, me të cilën ngulim gozhdët. rrahim pykat a goditim diçka tjetër; qyrë, tun. Myka e thikës (e shpatës). Myka e kazmës (e shatës). Myka e sëpatës (e sqeparit). I ra (e goditi) me mykë. Ia nguli sëpatën gjer në mykë.
- Plak i mykës (plak në mykë) plak shumë i vjetër, njeri i rënduar nga pleqëria, me një këmbë në varr. E do me mykë (kokës) është shumë kokëfortë, s'merr vesh me fjalë dhe e kërkon me të egër e me forcë. Ia ktheu nga myka dikujt nuk kujdeset, nuk shqetësohet, nuk pyet më për dikë, s'do t'ia dijë më për të, i ktheu krahët. I pret edhe myka i shkon fjala për çdo gjë, nuk ia kthejnë kurrë fjalën, s'ia bëjnë fjalën dysh. I vajti në mykë për diçka iu tek për diçka dhe e do patjetër, s'duron dot pa të, i hipi (kryesisht për ndonjë ushqim, për duhan a për ndonjë dëshirë tjetër). Shkojnë mykë e pykë shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, zihen keq e s'i lëshojnë udhë njëri-tjetrit. Myka e di sa e fortë është gozhda fj. u. ai që e bën punën e di se ç'vështirësi ka ajo.