Jump to content

mungesë

Nga Wiktionary

MUNGESË f.

  • 1. Mosqenia e dikujt në një vend të caktuar; gjendja kur dikush nuk është i pranishëm në vendin e në kohën e caktuar; shënim që vihet në dokumente të posaçme, kur dikush nuk paraqitet a nuk ndodhet në kohën e caktuar në vendin e punës, në mësim etj. Mungesë e arsyeshme (e paarsyeshme). Mungesa të shumta. Mungesa e tij në mbledhje. Regjistri i mungesave. Shkaku i mungesës. Në mungesë të dikujt kur dikush mungonte. Dënim në mungesë. drejt. dënim që i jepet dikujt pa qenë ai vetë i pranishëm në gjyq. E zgjodhën në mungesë. E ndiejmë mungesën e dikujt. Nuk ka mungesa të shumta. Shënon (mban) mungesat. S'bën mungesa nuk mungon.
  • 2. Gjendja kur diçka mungon, nuk duket, nuk shfaqet etj. (një dukuri, një tipar etj.); gjendja kur diçka nuk është e plotë a në shkallën e duhur. Mungesa e qartësisë (e zotësisë, e aftësisë, e zgjuarsisë). Mungesa e dëshirës (e vullnetit, e durimit, e rregullit, e organizimit, e disiplinës). Mungesë kulture (edukate, takti).
  • 3. Gjendja kur sendet, lëndët etj. nuk janë në sasinë e caktuar ose në sasi të mjaftueshme; pamjaftueshmëri e diçkaje që na duhet, nevojë që kemi për diçka; diçka që na mungon. Mungesa të përkohshme. Mungesa e lëndës së parë (e municioneve, e materialeve). Mungesë të hollash (mjetesh). Mungesë forcash. Mungesë shirash. Mungesë shkollash (spitalesh). Nuk kemi asnjë mungesë s'na mungon asgjë. Plotësuan mungesat.
  • 4. E metë, dobësi. Mungesa të mëdha (të theksuara). Mungesa subjektive (objektive, organizative). Mungesat miku-mikut ia duron. fj.u.
  • 5. gjuh. Elipsë.