moral
Appearance
MORAL m.
- 1. Tërësia e parimeve, e normave dhe e rregullave që janë krijuar e ndryshojnë historikisht në kushte të caktuara ekonomiko-shoqërore dhe që përcaktojnë sjelljen e veprimtarinë e njerëzve në shoqëri; vetë sjellja e qëndrimi i njeriut sipas këtyre parimeve, normave e rregullave. Morali komunist tërësia e parimeve, e normave dhe e rregullave që përcaktojnë sjelljen e njerëzve në shoqërinë socialiste. Morali proletar. Morali borgjez (fetar). Morali shoqëror. Morali i klasës sunduese. Kërkesat e moralit. Parimet e moralit. Mbeturinat e moralit të së kaluarës.
- 2. Lëndë mësimore për parimet, për normat e për rregullat e sjelljes e të qëndrimit në një shoqëri të caktuar a në një rreth shoqëror.
- 3. keq. Këshilla që përsëriten e bëhen të mërzitshme, predikim i zbrazët për parimet, normat, rregullat, sipas të cilave duhet të sillet dikush. Shet moral. Moral po na bën?!
- 4. Mësim a përfundim logjik që nxjerrim nga një ngjarje a nga diçka tjetër dhe që na ndihmon në jetën e në veprimtarinë tonë. Morali i fabulës (i tregimit, i përrallës).
- 5. Nder; sjellje e ndershme, ndershmëri. Grua me moral të lartë. Ishte me moral të keq. U prishën për çështje morali.
- 6. Tërësia e forcave të brendshme që e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë, gjendja e brendshme shpirtërore e dikujt. Me moral të lartë (të ulët). Morali i ushtrisë (i skuadrës, i shokëve). Fitorja ua ngriti moralin.
MORAL mb.
- 1. Që lidhet me moralin si tërësi e parimeve, e normave dhe e rregullave që përcaktojnë sjelljen e njeriut në shoqëri; që i përket moralit, i moralit; që bëhet sipas këtyre parimeve, normave e rregullave; i moralshëm. Parime (norma, kërkesa, rregulla) morale. Vlera (veti, cilësi) morale. Figura morale e dikujt. Pastërtia morale. Edukatë morale. Detyrim moral. Stimul moral stimul jomaterial (lavdërim, dekorim etj.), që përdoret si mjet i fuqishëm nxitës në jetë e në punë.
- 2. Që lidhet me nderin, me sjelljen e ndershme a të pandershme të dikujt, që i përket moralit të dikujt. Shthurje morale. Me qëndrim moral të mirë (të keq).
- 3. Që lidhet me forcat e brendshme, të cilat e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë; që ka të bëjë me gjendjen e brendshme, shpirtërore të dikujt, që shpreh këtë gjendje. Forcë morale. Gjendja morale. Ngritja (rënia) morale. Ndihmë (nxitje) morale. Kënaqësi morale.