mbyllur

Nga Wiktionary
Jump to navigation Jump to search

MBYLLUR mb.

  • 1. Që është mbyllur me derë, me kapak, me çelës a me diçka tjetër; që është zënë me diçka (për derën, dritaren a një hapësirë tjetër që shërben si kalim); kund. i hapur; i çelur. Me derë (me dritare) të mbyllur. Dhomë e mbyllur. Arkë (kuti) e mbyllur. Dollap i mbyllur.
  • 2. Që e ka grykën a pjesën e sipërme të zënë me tapë a me diçka tjetër, që ka mbyllëse, kapak etj.; kund. i hapur. Shishe e mbyllur. Vozë (fuçi) e mbyllur. Kuti e mbyllur. Zarf i mbyllur. Me grykë të mbyllur.
  • 3. Që është mbushur me diçka e është bërë rrafsh (për një vrimë, një të çarë, një gropë etj.); i mbuluar. Vrimë (gropë) e mbyllur. Plagë e mbyllur plagë që është shëruar e ka zënë kore.
  • 4. Që i ka pjesët, fletët, anët etj. të bashkuara ose të puthitura mirë njëra me tjetrën; i mbledhur; kund. i hapur. Me gishtërinj të mbyllur. Me gojën të mbyllur. Me buzë të mbyllura. Me sy të mbyllur. Libër i mbyllur. Qark i mbyllur. elektr. E la çadrën të mbyllur.
  • 5. Që e ka ndërprerë punën e vet, për një kohë të caktuar a përgjithnjë; që nuk punon më (për një ndërmarrje, institucion etj.); kund. i hapur; i çelur. Dyqan i mbyllur. Fabrikë e mbyllur. Shkollë e mbyllur.
  • 6. Që është mbuluar me diçka; që ka sipër një mbulesë si strehë ose që ka çati; kund. I hapur. Automjet i mbyllur. Kinema e mbyllur kinema dimërore. Pishinë (palestër) e mbyllur.
  • 7. Që është i ngushtë e i kufizuar në hapësirë; që është si gropë; që është i rrethuar me mur a me diçka tjetër. Vend i mbyllur. Qytet (fshat) i mbyllur. Gji deti i mbyllur.
  • 8. Që është zënë e nuk mund të kalohet për të dalë në anën tjetër; i tillë ku është ndërprerë lëvizja a qarkullimi; kund. i hapur. Kufi i mbyllur. Shteg (kalim) i mbyllur. Rrugë të mbyllura.
  • 9. Që është ndërprerë, është ndalur a është shuar; kund. i hapur. Me drita të mbyllura.
  • 10. Që ka marrë fund, që është zgjidhur përfundimisht; që nuk flitet më për të. Çështje e mbyllur. Llogari e mbyllur. fin.
  • 11. Që përfshin një rreth shumë të kufizuar njerëzish, i ngushtë, i kufizuar; kund. i hapur. Mbledhje e mbyllur. Rreth i mbyllur njerëzish (shokësh). Veprimtari e mbyllur.
  • 12. fig. Që rri i veçuar e si mënjanë, që nuk shoqërohet e nuk përzihet me shokë, që nuk u hap zemrën të tjerëve; i druajtur, i turpshëm; që sheh vetëm punën e vet e nuk shqetësohet për asgjë tjetër; kund. i hapur, i çelur. Njeri (tip) i mbyllur. Natyrë e mbyllur (për njerëzit). Bën një jetë të mbyllur.
  • 13. Që është e errët a e thellë (për ngjyrën); kund. i hapur; i çelur. Ngjyrë e mbyllur. E kuqe (e kaltër) e mbyllur.
  • 14. I vrenjtur, i zymtë (për qiellin, motin). Qiell i mbyllur.
  • Me dyer të mbyllura ku nuk mund të marrë pjesë kushdo, ku marrin pjesë vetëm njerëzit që janë drejtpërdrejt të interesuar dhe që janë të autorizuar e të lejuar zyrtarisht, pa njerëz të huaj (për gjyqet, mbledhjet etj,). Plagë e mbyllur dhembje a fatkeqësi që ka kaluar dhe është mbyllur. Rreth i mbyllur (me cen) libr. shih te RRETH,~I. Është arkë e mbyllur dikush e mban të fshehtën e nuk ua thotë të tjerëve; nuk u hapet të tjerëve; është varr i mbuluar. Është qeli e mbyllur (qeli pa dritare) dikush shih te QELI,~A. Rimë e mbyllur let. rimë e një strofe katërshe, ku vargu i parë përkon me të katërtin dhe i dyti me të tretin (skema a b b a ). Rrokje e mbyllur gjuh. rrokje që mbaron me një bashkëtingëllore. Zanore e mbyllur gjuh. zanore që përftohet duke e ngritur shpinën e gjuhës drejt qiellzës më shumë se kur shqiptojmë zanoret e hapura.


MBYLLUR ndajf.

  • 1. Në gjendje të mbyllur (për derën, shtëpinë etj.); kund. hapur; çelur. Dera rri mbyllur. E la mbyllur.
  • 2. Me anët a skajet të mbyllura ose të puthitura; kund. hapur; çelur. Mbante gojën (sytë) mbyllur.
  • 3. Në gjendje kur e ka ndërprerë veprimtarinë, kur është mbyllur e nuk punon, jo hapur; kund. hapur; çelur. E gjeti dyqanin mbyllur. Ekspozita mbeti mbyllur disa muaj.
  • Me sy mbyllur verbazi, verbërisht. Rri me gojë mbyllur nuk flet fare, nuk nxjerr asnjë fjalë nga goja, hesht.