mbledhje
Appearance
MBLEDHJE f.
- 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve MBLEDH, MBLIDHEM. Mbledhja e ullinjve (e të lashtave, e barit, e pemëve). Mbledhja e të dhënave. Mbledhja e fjalive të rralla.
- 2. Grumbullim i organizuar njerëzish, pjesëtarësh të një kolektivi, anëtarësh të një organizate etj. Në një vend të caktuar për të shqyrtuar një çështje, për të bërë njoftime, për të zhvilluar një bisedë etj.; takim i tillë ku rrihen e vendosen çështje me interes të përbashkët dhe zhvillohet veprimtari politike, ideologjike, kulturore etj.; tërësia e atyre që marrin pjesë në këtë takim. Mbledhje e hapur (e fshehtë, e përgjithshme, e zgjeruar, e rëndësishme). Mbledhje të shpeshta (të rralla). Mbledhje përkujtimore. Mbledhje partie. Mbledhja e organizatës-bazë. Mbledhja e këshillit (e komitetit, e byrosë, e kolektivit, e lagjes, e brigadës). Mbledhje për të dhënë llogari e për zgjedhje. Mbledhje mësimore (stërvitore). usht. Dita e mbledhjes. Vendi i mbledhjes. Sallë mbledhjesh. E drejta (liria) e mbledhjes. Procesverbali i mbledhjeve. Vendimet e mbledhjes. Shkoi (mori pjesë, foli) në mbledhje. U hap (u mbyll, u shty) mbledhja. Bënë një mbledhje. Kemi mbledhje. E vendosi mbledhja. I kanë pakësuar mbledhjet.
- 3. mat. Një nga të katër veprimet themelore të aritmetikës, me anë të të cilit gjejmë shumën e përbashkët të dy a më shumë numrave. Mbledhja dhe zbritja. Prova e mbledhjes. Bëj mbledhjen e numrave.