Jump to content

lidhje

Nga Wiktionary

Shqip

[redaktoni]

Emër

[redaktoni]

lidhje f.

  1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve LIDH, LIDHEM. Lidhja e duajve. Lidhja e plagëve. Lidhja e librave. Lidhja e mësimit me punën (me jetën). Lidhja e teorisë me praktikën.
  2. Marrëdhënie e varësi e ndërsjellë ndërmjet qenieve, sendeve ose dukurive; marrëdhënie të afërta ndërmjet dy a më shumë vetave që jetojnë a punojnë së bashku ose që kanë mendime të njëjta a synime të përbashkëta. Lidhje e përhershme. Lidhje shkakësore. Lidhje pune. Lidhje interesash. Lidhja ndërmjet sendeve (dukurive). Kanë lidhje ndërmjet tyre. S'kanë asnjë lidhje. Ka (mban) lidhje të mira me dikë. I ndërpreu (i preu) lidhjet.
  3. Bashkërendim i natyrshëm dhe i përshtatshëm ndërmjet pjesëve të diçkaje, bashkim i qëlluar dhe i përpjesëtuar mirë i elementeve përbërëse të diçkaje; pajtim i plotë ndërmjet dy gjërave, përputhje e dyanshme sipas një përpjesëtimi të caktuar. Lidhje shumë e mirë (e përsosur, e plotë). Fjalë (mendime) pa lidhje. I mungon lidhja diçkaje. Nuk ka lidhje logjike. I ndërpreu (i humbi) lidhjet me dikë.
  4. Afri gjaku e gjinie a farefisnie ose marrëdhënie të tjera familjare. Lidhje familjare (martesore). Lidhje gjinie (gjaku, farefisnie). Lidhje krushqie.
  5. shih LIDHËS/E,~JA 2, 3. Lidhje leshi (liri, lëkure). Lidhje thesi. Lidhje plagësh. Lidhje duajsh (kashte, gruri). E mbështolli me lidhje.
  6. Nyjë, komb. E bëri lidhje. Nuk e zgjidhi dot lidhjen.
  7. Pe në të cilin janë shkuar gjethet e një bime; varg në të cilin janë lidhur kokat e disa perimeve ose kallinjtë e drithërave; kurorë. Lidhje duhani. Lidhje misri. Lidhje qepësh (hudhrash). I bëri lidhje.
  8. Dredhë hardhie, kungulli etj., lidhëse. Lidhjet e hardhisë (e kungullit, e fasules).
  9. Mjet marrëveshjeje ndërmjet njerëzve në largësi; të qenët i lidhur me një mjet të tillë. Lidhje telefonike (telegrafike). U prish (u ndërpre) lidhja. Vendos lidhjen. Ka lidhje me telefon (me radio).
  10. Brez që mbërthen e përforcon trarët e pingultë të çatisë me ata horizontalë. Lidhje trarësh. Lidhjet e çatisë.
  11. Shami koke si trekëndësh me dy cepa të gjatë, me të cilën gratë lidhin flokët; kryqe. Mblodhi flokët me lidhje.
  12. spec. Mënyrë si mbërthehen a bashkohen pjesët ose detalet e diçkaje. Lidhje e shkurtër. Lidhje në seri (paralele). elektr. Lidhje me kabllo.
  13. Shkalla e qëndrueshmërisë ose e fortësisë së një të tëre që përbëhet nga pjesë të ndryshme, të qenët i lidhur. Lidhje e fortë (e qëndrueshme, e dobët). Lidhja e murit. Lidhja e çimentos (e betonit). Lidhja e atomeve (e grimcave) të një molekule.
  14. Dokument që vërteton anëtarësinë e dikujt në parti dhe që i jepet këtij kur ndërron qendrën e punës ose të banimit; fletëlidhje. Lidhja e partisë. Tërhoqi (dorëzoi) lidhjen.
  • 15. Shoqatë a grup njerëzish të organizuar, të cilët kryejnë një detyrë të caktuar në fushën kulturore e shoqërore; shoqëri. Lidhja e Shkrimtarëve. Lidhja për përhapjen e shkollave shqipe. hist.
  1. Bashkim politik e shoqëror, me karakter kombëtar a ndërkombëtar, që vepron si një organizatë e u shërben qëllimeve të caktuara. Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lidhja e Lezhës. Lidhja e Kombeve. hist. organizatë politike ndërkombëtare në periudhën midis Luftës së Parë e Luftës së dytë Botërore, në të cilën përfaqësohej një pjesë e shteteve (sot Organizata e Kombeve të Bashkuara). Lidhja (aleanca) e shenjtë. hist.
  2. shtypshkr. Veshja dhe qepja e librit. Lidhje e thjeshtë (speciale).
  3. kim. Përzierje e ngurtë a e lëngët, që është fituar nga shkrirja e një metali me metale të tjera (ose me shtesa elementesh që nuk janë metale) dhe që ka veti të tjera fizike a kimike. Lidhje metalike. Lidhje shumë të forta (shumë të buta). Bronzi (tunxhi) është lidhje.
  4. let. shih NYJ/Ë,~A 11. Lidhja e një romani. Lidhja e subjektit.
  • Në lidhje me ... për sa i përket..., lidhur me ...