Jump to content

lart

Nga Wiktionary

LART I ndajf.

  • 1. Në largësi të madhe nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër në drejtimin pingul; në hapësirën mbi tokë; më sipër se diçka tjetër ose se zakonisht; kund. ulët; poshtë. Fluturon lart. Është lart. Atje lart. Lart e më lart. Lart në ajër (në qiell).
  • 2. Në drejtim pingul duke u nisur nga poshtë, përpjetë; shtrirë përpjetë, pingul; kund. poshtë. Ngjitet (lëviz, bën) lart. E ngriti lart këmbën (dorën). E mban kokën lart. E shtriu hardhinë lart. Bën (ngjitet) lart diçka: merr përpjetë; rritet, zhvillohet.
  • 3. Sipër diçkaje të lartë, mbi diçka; në një vend a mbi një mjet; në një vend të ngritur. Lart mbi mur. Lart në çati. Lart në katin e dytë. Lart në pemë. Lart në mal. Lart mbi supe. Lart në tryezë. Lart në kalë. Lart në biçikletë (në kamion). Vëre atje lart!
  • 4. Më shumë se një masë a se një sasi e caktuar mbi diçka (si sasi); më shumë se një pjesë kohe; shumë. Pesë vjeç e lart. Gjashtë muaj e lart. Lart nga pesëdhjetë veta. Lart nga dyqind kuintalë. E vlerësoi lart dikë a diçka. E ngriti lart dikë a diçka e vlerësoi shumë, i çmoi shumë vlerat e tij a të saj.
  • 5. bised. Në organet e larta të administratës shtetërore, në organet qendrore e urdhërdhënëse; kund. poshtë. U shqyrtua (u vendos) lart. U ngjit lart. Lart e më lart!
  • 6. Me zë të hollë e të tingëllueshëm. Ia mori këngës lart. Merre më lart (këngën)!
  • 7. fig. Më mirë a më shumë se të tjerët; në lartësinë e duhur; kund. poshtë. Është më lart. Qëndron më lart. Qëndron lart nga ana morale.
  • 8. përd. em. Pjesa ose ana e sipërme e një sendi, pjesa ose ana që është sipër; shkalla e sipërme e një shkallëzimi shtetëror a shoqëror; kund. poshtë. Kontrolli nga lart poshtë (nga poshtë lart). Udhëzim nga lart. E shikojmë nga lart. Dukej nga lart.
  • 9. përd. kallëzues. Ngre, çoj. Lart flamujt e revolucionit! Lart frymën revolucionare!

LART II parafj.

bised. Sipër; mbi. Lart murit. Lart çatisë. Doli hana lart malit. I shkoi guri lart kokës.

  • Me ballë (me ballin) lart krenar, ballëlart. Lart e poshtë (poshtë e lart) gjithandej, poshtë e përpjetë; tutje-tëhu. Poshtë lart shih te POSHTË. Pështyn lart dikush shih te PËSHTYJ. E shet lart dikush shih te SHES. Vret (rreh) lart (rëndë) a) kërkon më shumë nga sa i takon; b) mburret shumë, e mban veten për të madh, sillet me mendjemadhësi. E ka (e mban) mbi kokë e lart dikë shih te KOK/Ë, ~A. I kullot hunda lart iron. shih te HUND/Ë,~A. Mbaj ballin lart shih te BALL/Ë,~I. E mban (e ka) hundën lart (përpjetë) iron. shih te HUND/Ë,~A. E mban (e ka) kokën lart a) është krenar, mbahet kryelartë; b) keq. është mendjemadh. Ngriti (çoi) duart lart (përpjetë) shih te NGRE. I ngre lart zemrën dikujt shih te ZEM/ËR,~RA. I rrihte dyfeku lart dikujt keq. shih te DYFEK,~U.