Jump to content

kategori

Nga Wiktionary

KATEGORI f.

  • 1. filoz. Nocion kryesor, shumë i përgjithshëm që pasqyron vetitë, anët e lidhjet me thelbësore të dukurive të realitetit objektiv dhe që është formuar gjatë procesit të ndërlikuar historik të njohjes në bazë të praktikës shoqërore (p.sh. materia, lëvizja, koha etj.). Kategori filozofike. Kategoria e kohës dhe e hapësirës (e cilësisë dhe e sasisë, e shkakësisë, e domosdoshmërisë dhe e rastësisë, e përmbajtjes dhe e formës, e thelbit dhe e shfaqjes).
  • 2. spec. Emërtim i përgjithshëm për një klasë sendesh a gjërash që kanë tipare të përbashkëta ose veti të ngjashme dhe që lidhen ndërmjet tyre. Kategoritë ekonomike. Kategoritë leksikore. Kategori gramatikore. gjuh. kuptimi gramatikor i shprehur me anë të një forme gramatikore (si p.sh. kategoria e numrit, e rasës, e vetës etj.).
  • 3. Klasë sendesh a frymorësh që kanë të njëjtën natyrë, janë të një lloji ose kanë të njëjtën vlerë; grup; lloj. Të çdo kategorie. Ka një kategori nxënësish (njerëzish, mjekësh). Prodhime të kategorisë së parë. Ndahen në dy (tri, katër) kategori. Luan në kategorinë e dytë. sport.
  • 4. Shkallë për vlerësimin e aftësisë dhe të kualifikimit të punonjësve në bazë të cilësisë së punës që bëjnë, sipas së cilës bëhet edhe shpërblimi. Kategori e parë (e ulët, e lartë). Punëtor i kategorisë së tretë. U ngritën në kategori. Mori kategorinë përkatëse.