këput

Nga Wiktionary
Jump to navigation Jump to search

KËPUT kal.

  • 1. Ndaj në dy a më shumë copa një pe, një litar; një zinxhir etj., duke e tërhequr fort ose duke e përdredhur. Këput perin (litarin, zinxhirin, telin). E këput në mes. Nuk e këput dot.
  • 2. Shkëput me dorë nga kërcelli i një bime ose nga trungu i një druri a nga degët e tij një fryt, një gjethe, një lule, një degë etj.; heq me forcë një copë nga një e tërë, shkëput. Këput lule (mollë, gjethe, degë). Këput një fletë (nga kalendari).
  • 3. Ndaj nga nëna pjellën e saj që të mos pijë më qumësht (për kafshët); heq nga gjiri përgjithnjë (për foshnjën zakonisht kur mbush një vit). Këput kecin (qengjin, gicat) nga nëna. Këput fëmijën.
  • 4. fig. bised. Rrëzoj përtokë, lë në vend pa ndjenja; vras. I këpuste fashistët një nga një.
  • 5. fig. E lodh shumë, e rraskapit sa s'duron më. Valixhja ia këputi krahun. I këputi puna (vapa, pagjumësia). Më këputi udha.
  • 6. fig. Bëj që të ndiejë keqardhje, dëshpërim a mallëngjim të thellë, të hidhërohet e të pikëllohet shumë. Foshnja qan e të këput. E këputi malli. Më këputi zemrën (shpirtin).
  • 7. fig. bised. Bëj një veprim të shpejtë a të menjëhershëm, zakonisht në dëm të dikujt; i jap dikujt një grusht, një shkelm etj., i bie me diçka, e qëlloj, ia fut. I këputi një grusht (një dackë, një shkelm, një plumb). I këputi një gjobë. I këputi një notë pakaluese. Ia këputi me sëpatë. Ia këputi në lule të ballit. Ia këputi gjumit fjeti menjëherë e mirë.
  • 8. edhe jokal. fig. I them dikujt fjalë fyese; them fjalë të pamenduara, flas në tym, ia fut. I këputi ca të shara. Këpuste gënjeshtra (romuze). Ia këputi kot (kuturu). Këput dokrra (gjepura).
  • 9. fig. Bëj që të pushojë papritur e menjëherë, ndërpres; prish, shkëput. Këput bisedën (mendimet, këngën). Këput lidhjet (marrëdhëniet).
  • 10. I ndërroj drejtimin diçkaje; kthej. Këput ujin.
  • 11. fig. Shkoj në një drejtim jo të zakonshëm për t'i rënë më shkurt. E këputi rrugën.
  • 12. Punoj, lëroj për së dyti. Këput tokën.
  • 13. fig. bised. Vendos a caktoj një datë, një afat etj. në marrëveshje me dikë. Këputën ditën e martesës.
  • Hiq (tërhiq) e mos e këput shih te HEQ. Këput (thyej) arrëzën (qafën)! keq. shih tek ARRËZ~A. Ia këputi frymën dikujt ia këputi shpirtin, e mallëngjeu shumë. Na këputi ijët
  • a) na shkriu së qeshuri;
  • b) na gënjeu shumë, na tha gënjeshtra të mëdha. Ia këputi (ia theu, ia shtypi) kokën shih te SHTYP. Sa t'i këputësh (t'i marrësh, t'i rrëmbesh) kokën (kryet) shih te KOK/Ë,~A. I këputi (i preu) lakun dikujt shih te LAK,~U. E këputi në mes shih te MES,~I. Ka këputur mish ka dëmtuar indet e ndonjë pjese të trupit nga një përpjekje a punë jashtë fuqive ose nga një ngarkesë tepër e rëndë. Këput (thyej) prangat (vargonjtë) fitoj lirinë. Këput edhe qimen di të qëllojë mirë. Të këput shpirtin është për të ardhur keq, të mallëngjen a të hidhëron shumë, të prek thellë sepse është në gjendje të rëndë a të vajtueshme. Këputtë dellin e qafës! mallk. shih te DELL,~I.