Jump to content

këmishë

Nga Wiktionary

KËMISHË f.

  • 1. Veshje e lehtë prej pëlhure pambuku, mëndafshi etj., me jakë të mbyllur ose të hapur, me mëngë të gjata ose të shkurtra, që mbulon pjesën e sipërme të trupit e mbahet nën xhaketë. Këmishë e bardhë (e kuqe). Këmishë e qëndisur. Këmishë mëndafshi (pambuku). Këmishë burrash (grash, fëmijësh). Këmishë nate këmishë e gjatë që veshin zakonisht gratë kur flenë. Këmishë hekuri. hist. veshje e sipërme prej metali, që mbanin kalorësit për t'u mbrojtur nga goditjet e shpatave ose të shtizave. Këmishë me mëngë të shkurtra (të gjata). Këmishë me (pa) jakë. Në këmishë pa xhaketë. Jaka e këmishës. Vesh këmishën. Laj (hekuros, ndërroj) këmishën.
  • 2. anat. Cipë e hollë që mbështjell fëmijën në barkun e nënës ose larvën e kandrrave; cipë e hollë që mbështjell një organ ose një kafshë. Këmisha e foshnjës. Këmisha e larvës (e bletës). Këmisha e syrit. Këmisha e gjarprit lëkura që lë gjarpri kur e ndërron.
  • 3. bised. Shtresa që zë uthulla përsipër nga tharbëtimi. Këmisha e uthullës. Ka vënë uthulla këmishë. I heq këmishën uthullës.
  • 4. tek. Shtresë mbrojtëse që i vishet një ene, një pjese të një mekanizmi etj.; veshje prej materiali të ndryshëm që mbron diçka nga lagështira, nga djegia etj. Këmishë metalike. Këmishë gurësh (argjile). Këmishë me ajër. Këmishë me avull (avulli) hapësira midis dy enëve që janë futur njëra brenda tjetrës. Këmisha e motorit (e cilindrit, e presës). Vesh me këmishë. Zëvendësoj këmishën.
  • Në këmishë vetëm me ato rroba që ka veshur në trup, i varfër; pa pajë. Në fill të këmishës shih te FILL,~I. Më ra këmisha u habita shumë, mbeta i habitur. Iu drodh këmisha (në trup, në shtat) u tmerrua nga frika, u frikësua shumë. Ka lindur (ka lerë) me këmishë (me yll) shih te LIND. Nuk i beson as këmishës së trupit shih te BESOJ. E kam këmishën (i kam rrobat) në finjë shih te FINJ/Ë,~A. Iu ngjit këmisha pas trupit (në trup) u bë qull në djersë e u lodh shumë së punuari. Ia veshi këmishën me uthull dikujt shih tek UTHULL,~A. Të zë në grykën e këmishës të lutet shumë.