hidhur
Appearance
HIDHUR mb.
- 1. Që ka një shije të pikët si të helmit, si të pelinit etj.; që ka hidhësirë; kund. i ëmbël. Kafe e hidhur. Trangull i hidhur. Bar (ilaç) i hidhur. I hidhur si helm (si pelin). E kam gojën të hidhur.
- 2. fig. Që është plot vuajtje e mundime, që ka shumë hidhërime, që është shumë i rëndë e i vështirë. Jetë e hidhur. Fat i hidhur. E kaluara e hidhur. Kohë të hidhura.
- 3. fig. Që të hidhëron, që të bën të vuash shpirtërisht, që të lëndon në zemër e të mundon shumë; që të sjell hidhërime e brenga, që të shkakton vuajtje e mundime; i papëlqyeshëm, i pakëndshëm. Fjalë e hidhur. Lajm i hidhur. Qortim i hidhur. Ngjarje (histori) e hidhur. E vërteta e hidhur. Me pasoja të hidhura. Përvojë e hidhur. Me përshtypjet më të hidhura.
- 4. fig. Që hidhërohet shpejt, zemërak, hidhërak. Njeri i hidhur.
- 5. fig. Që shpreh vuajtje shpirtërore a hidhërim. Lot të hidhur. Vështrim i hidhur. Buzëqeshje (psherëtimë) e hidhur. Mendime të hidhura. Ndjenjë e hidhur. Heshtje e hidhur.
- 6.. fig. Që të pret, që të than; që mezi durohet a nuk durohet dot; i madh, i keq, i ashpër. Të ftohtë (acar) i hidhur. Mot i hidhur. Vapë e hidhur.
- 7. si em. f.~, ~A (e). Diçka që ka shije të pikët si të helmit, të pelinit etj.; shija që na jep ajo; hidhësirë. E hidhura e kastravecit. Nuk i ha fare të hidhurat.
- Ka pirë kupën e hidhur libr. ka provuar shumë vuajtje e hidhërime, ka bërë një jetë plot vuajtje e mundime.
HIDHUR ndajf.
- 1. Në mënyrë të tillë që të shkakton hidhërim e të lëndon zemrën, duke e prekur e rënduar dikë në shpirt; rëndë, keq. Flet hidhur. E shau hidhur.
- 2. Me hidhërim, në mënyrë të brengosur e të pikëlluar, me zemër të lënduar. Qante hidhur. Buzëqeshi hidhur. I erdhi hidhur u prek në zemër e u hidhërua nga diçka që nuk i pëlqeu, i erdhi shumë keq.
- 3. Me zemërim, me inat. I rrinte hidhur dikujt.
- 4. Me të ftohtë të madh që të hyn në palcë, ashpër (për motin). Bëri hidhur dimri sivjet.