Jump to content

hapem

Nga Wiktionary

HAPEM vetv.

  • 1. vet. veta III. Lëviz dera, kanati etj. dhe krijohet vendkalim i lirë për të hyrë diku a për të dalë prej andej ose për t'u lidhur mjedisi i brendshëm me të jashtmin; çelet; kund. mbyllet. U hap dera. U hapën dritaret. Hapet nga jashtë (nga brenda). U hap vetë. U hap me vrull.
  • 2. vet. veta III. I hiqet tapa, mbyllësja a mbështjellja diçkaje të mbyllur ose të mbështjellë; çelet, zbërthehet a shqitet diçka e mbyllur, e mbërthyer ose e ngjitur. U hap shishja. U hap karfica. U hap zinxhiri i çantës. U hap zarfi.
  • 3. vet. veta III. Çlirohet nga pengesat, pastrohet; bëhet i tillë që ta ketë më të lirë kalimin; kund. zihet. U hap gypi (qyngji). U hap pipthi. Iu hap fyti (gryka). M'u hapën veshët. U hap rruga (kalimi).
  • 4. fig. vet. veta III. Krijohet mundësia për të ecur përpara, mënjanohen pengesat ose vështirësitë për të arritur diçka, çelet. Hapen horizonte të reja (perspektiva të mëdha). U hapën rrugë të reja.
  • 5. vet. veta III. Shpaloset diçka e palosur, e mbledhur a e mbyllur, shtrihet e drejtohet diçka e përthyer; ndahen e largohen dy gjëra ose anët e puthitura a të afruara të diçkaje, shkon mënjanë; kund. mbyllet. U hap perdja. U hap çadra. Nuk i hapen sytë (gishtat). Iu hap goja për gjumë. U hap thesi. U hap çanta. Është hapur muri. U hapën dërrasat.
  • 6. vet. veta III. Përhapet ose shpërndahet diçka e mbledhur a e grumbulluar; shtrihet hollë diçka, përhapet; shprishet, lënuret (leshi etj.). U hapën fletët nëpër oborr. Ushtarët u hapën për luftë. U hapën njerëzit nëpër arë. U hapën lojtarët në fushë. U hap bagëtia nëpër livadhe. Iu hapën flokët në erë. I hapej boja. Hapet lehtë. Ky lesh mezi hapet.
  • 7. vet. veta III. Shtrihet përpara a zgjerohet më tej; rritet, shtohet, zmadhohet diçka; përhapet (edhe fig.). Përpara hapej qyteti. Nga veriu hapet fusha. Shtëpitë hapen në faqen e kodrës. U hap sëmundja (epidemia, gripi, kolera). Është hapur pjergulla. U hap puna. Hapet në të djathtë (në të majtë).
  • 8. fig. Merrem me shumë punë njëherësh pa u përqendruar në njërën prej tyre a në një fushë të caktuar; e shtoj punën tej mundësive; përhapem. Është hapur shumë.
  • 9. Largohem prej dikujt a mënjanohem në një vend për të lënë të lirë kalimin; vet. veta III lejohet kalimi, lihet i lirë një vend për të kaluar. Hapem mënjanë. U hap kufiri. U hap vendi. Hapuni!
  • 10. fig. Bëhem më i gjallë e i zhdërvjellët në jetë; gëzohem, më qesh fytyra, çelem. Është hapur ca. U hapën njerëzit. U hap në fytyrë.
  • 11. fig. Ia zbuloj një tjetri mendimet, ndjenjat, të fshehtat ose hallet e mia, i hap zemrën. Nuk hapet me këdo. S'më është hapur kurrë. S'hapet lehtë ai.
  • 12. vet. veta III. Çel burbuqja, sythi etj., shpalosen petlat ose gjethet duke u rritur; lëshon lule, lulëzon, çel. U hap trëndafili (zambaku). U hapën pemët.
  • 13. vet. veta III. Nis të zbardhë, agon (për dritën e ditës). U hap drita (dita). U hap mëngjesi (agimi).
  • 14. vet. veta III. Kthjellohet, pastrohet nga retë, çel. U hap koha (moti). U hap qielli.
  • 15. vet. veta III. Më vritet, më çahet a më ngacmohet; më dhemb shumë nga lodhja, nga një plagë etj. Iu hapën duart nga sapuni. Iu hap plaga. M'u hap koka. M'u hapën shpatullat.
  • 16. Pës. e HAP 1-17.
  • M'u hap (më iku) barku shih te BARK,~U. S'i hapet (s'i pëlcet, s'i digjet) barku për dikë përçm. shih te BARK,~U. T'u haptë dera! shak. qofsh i uruar, paç mbarësi! Iu hap (iu çel) dera dikujt siguroi vijimësinë e familjes me lindjen e një fëmije, zakonisht të një djali (sipas paragjykimeve patriarkale). U hapën detet (u hap deti) shih te DET,~I. Iu hap (iu çel) goja ka filluar të flasë pa druajtje. S'i hapet goja nuk ka fare oreks, nuk ka fare dëshirë për të ngrënë; nuk do të flasë, nuk i pëlqen të shprehet për diçka. Iu hap (iu ça) hunda (për duhan) nuk duron dot më pa pirë duhan. Iu hap (iu çel) oreksi
  • a) iu ngjall dëshira për të ngrënë;
  • b) iu ndez lakmia për diçka. M'u hap punë më dolën kokëçarje të paparashikuara, m'u krijuan ngatërresa e vështirësi. M'u hapën qiejt shih te QIELL,~I. I janë hapur (i janë çelur) sytë
  • a) ka filluar t'i shohë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë; e ka zbuluar të vërtetën;
  • b) ka marrë arsim, dije e kulturë; merr vesh ç'bëhet, ka njohur njerëz e vende të tjera. Iu hap syri
  • a) mori zemër, mori guxim;
  • b) e përkrahin jashtë mase a e llastojnë. M'u hapën trutë më dhemb koka shumë, kam dhimbje të madhe koke. Iu hap zemra
  • a) u tremb shumë; u trondit thellë;
  • b) i erdhi shumë keq, iu këput shpirti për dikë. Iu haptë varri (dheu) nën këmbë! mallk. vdektë! Është hapur si vaji në lakra (në ujë) shih te VAJ,~I I.