Jump to content

grij

Nga Wiktionary

GRIJ kal.

1. Pres diçka në copa shumë te vogla me thikë a me brisk, copëtoj diçka imët në makina, në rende etj., e bij copa shumë të vogla; bluaj. Grij duhanin. Grij lakra (patate, qepë, molla). Grij mishin. Grij hollë (trashë). Grij me thikë( me rende). Grij me makinë mishi.

2. vet. veta III. E ha pak e nga pak, e gërryen ngadalë, e bren. Krimbi grin drurin (dërrasën). Mola grin rrobat. Ndryshku e grin hekurin. Soda i grin çarçafit.

3. bised. Vras një numër të madh njerëzish a kafshësh (me shpatë, me pushkë, me mitraloz etj.); dëmtoj në masë, shfaros krejt. I grin me pushkë (me mitraloz, me top). I griu me shpatë. I griu sëmundja (kolera, murtaja). I griu pemët breshri (ngrica).

4. vet. veta III fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Me dhemb shumë diçka; më shqetëson a me ngacmon shumë diçka, më godet diçka me forcë; më mundon, më bren diçka përbrenda e s'më lë të qetë. E griu barku (koka). I grinë mushkonjat. Me griu era (të ftohtët). E griu uria ka shumë uri. Më griu malli kam shumë mall. E grin përbrenda. E grin ndërgjegjja.

5. fig. bised. Bëj që të harxhojë shumë, e faros krejt. E griu nga paratë. Na griu nga vaji (nga sheqeri, nga gjalpi).

6. fig. bised. Fitoj shumë. Grinte para.

7. fig. bised., keq. Flas shumë dhe pa vend, llap kot. Grin mbarë e prapë. Grin gjithë ditën. Grin a s'grin!

8. fig. thjeshtligj. E njoh shumë mirë një shkencë a një fushë të caktuar të dijes, jam shumë i zoti në një shkencë a në një fushë të caktuar të dijes; e di shumë mirë një lëndë që mësoj në shkollë. E grinte gramatikën. Ai të grin në matematikë (në kimi).

  • Grin lakër (sallatë) flet shumë dhe kot; llap kot. Më grinë zorrët kam shumë uri. Korr e grin shih te KORR.