gjendem

Nga Wiktionary
Jump to navigation Jump to search

GJENDEM vetv.

  • 1. Jam në një vend, ndodhem diku; bie, shtrihet diku, ka zënë vend, është diku. Gjendet në mal. Gjendet në veri (në jug). Gjendet jashtë qytetit. Gjendet larg. Vendi ku gjendet.
  • 2. Ndodhem rastësisht ose papritur diku. U gjend majë malit (buzë lumit). U gjendën në fushë të hapur. U gjendën ballë për balli. Nuk u gjenda aty.
  • 3. fig. Jam ose bie në një gjendje që nuk e prisja, ndodhem padashur përpara diçkaje ose ndeshem me diçka, zakonisht të papëlqyeshme; ndodhem, jam. U gjend ngushtë (keq). U gjend në befasi. U gjendën në ditë të keqe. U gjend përpara një rreziku (një të papriture). U gjend midis dy zjarreve.
  • 4. fig. (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Ndihmoj dikë në rrethana të vështira, i ndodhem pranë dikujt për çdo gjë dhe i bëhem krah. Iu gjend vëlla. Iu gjend nënë e baba. Iu gjend te koka. Iu gjend në çaste të vështira. I është gjendur ditën dhe natën.
  • 5. kryes. veta III. Del a shfaqet papritur si për ta ngatërruar a vështirësuar më tepër diçka. — Ku u gjend edhe ai?
  • 6. vet. veta III. (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam me vete rastësisht diçka, më ndodhet. S'iu gjendën para me vete. I priti me ç'i gjendej. Mos ju gjendet një laps?
  • 7. vet. veta III. Quhet, pranohet, shihet. U gjend e drejtë (e arsyeshme). U gjend me vend.
  • 8. vet. veta III. Ndodhet, është, ka; haset, ndeshet; ndodhet në sasi të caktuar, është pjesë përbërëse e diçkaje. Gjendet në gjak (në tru, në palcë). Gjendet rrallë (shpesh). Gjendet në ujë. Gjendet në popull. Gjendet me shumicë në treg.
  • 9. GJETA (u) GJETUR. Pës. e GJEJ. U gjet libri. U gjet rruga (mënyra, mjeti, zgjidhja). U gjet shkaku (arsyeja). Iu gjet ilaçi.
  • S'i gjendet ana diçkaje shih tek AN/Ë,~A I. S'iu gjend (s'iu duk) binaja shih te BINA,~JA. Sa për t'u gjendur në fjalë (në muhabet) sa për të thënë diçka, duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen. Nuk i gjendet filli është shumë e ngatërruar, është lëmsh. Iu gjend gjak dikujt shih te GJA/K,~KU I. M'u gjend havale shih te HAVALE,~JA. S'i gjendet karari dikujt a diçkaje shih te KARAR,~I. S'u gjendet (u humbi) nishani shih te NISHAN,~I. Sa për t'u gjendur (Kola) në punë sa për t'u dukur që merret me diçka, sa për të thënë se punon. S'i gjendet shoku (shoqja, çifti) për dikë a diçka nuk ka ndonjë tjetër të ngjashëm a të afërt me të për nga vetitë, cilësitë etj., është shumë i mirë, shumë i zoti, shumë trim etj. Nuk i gjendet as nami as nishani është zhdukur krejt, nuk i ka mbetur asnjë gjurmë. U gjend qiri në këmbë shih te QIRI,~U.