gëlltit

Nga Wiktionary

GËLLTIT kal.

1. Kapërdij a përcjell nga goja për në stomak (një ushqim a diçka tjetër); ha me uri të madhe dhe e përcjell pa e përtypur; kapërdij. Gëlltit kafshatën (bukën, gjellën, ushqimin). Gëlltit një hape. Gëlltit pështymën. Gëlltit me ujë. Gëlltit pa e përtypur. Gëlltit menjëherë (me një frymë). S'e gëlltit dot.

2. fig. Duroj pa u ndier a pa kundërshtuar, diçka jo të pëlqyeshme (një fyerje, një turp, një dhembje etj.); mbaj përbrenda dhe nuk e lë të shfaqet (një ndjenjë, një mendim). E gëlltiti fyerjen (turpi). E gëlltiti dhembjen (hidhërimin). E gëlltiti zemërimin. I gëlltiti (i kapërdiu) lotët e mbajti të qarët; nuk e shfaqi dëshpërimin a mallëngjimin. E gëlltit fjalën nuk i shpëton asnjë fjalë, hesht.

3. fig. bised. Pushtoj, rrëmbej me forcë diçka: mposht, nënshtroj. Gëlltiti mjaft toka. Gëlltiti një qytet. I forti gëlltiste të dobëtin.

4. fig. bised. (zakonisht me mohim). Nuk e marr diçka për të vërtetë, nuk e ha. Nuk i gëlltiti dokrrat e tij.

5. fig. bised. (zakonisht me mohim). Nuk e duroj të më rrijë pranë, a të ketë të bëjë me mua, nuk e pranoj, nuk e tret. S'e gëlltit dot atë njeri.

6. fig. bised. Harxhon; thith, përpin. Gëlltiti gjysmën e të ardhurave.

7. fig. Lexoj me etje; dëgjoj me vëmendje të madhe; përpij çdo gjë që lexoj a dëgjoj. I gëlltiste librat. Gëlltit çdo fjalë.

8. fig. E mbulon, e fut në brendësi; e përpin dhe e zhduk. E gëlltitën valët.

9. fig. bised. I ha (fjalët), i shqiptoj përgjysmë, jo të plota, nuk i them të gjitha. Mos i gëlltit fjalët!

  • I gëlltiti (i përpiu, i hëngri) fjalët i mohoi të gjitha ato që kishte thënë.