Jump to content

fshij

Nga Wiktionary

FSHIJ kal.

1. Heq lëmishtet, bëzhdilat a papastërti të tjera me fshesë, me furçë, me leckë etj. Fshij shtëpinë (dhomën, oborrin, rrugën). Fshij mobiliet (karriget, tryezën). Fshij rrobat (këpucët). Fshij armën. Fshij me fshesë (me furçë, me leckë).

2. E heq lagështirën në sipërfaqen e diçkaje, duke e fërkuar me peshqir a me një rrobë të thatë. Fshij fytyrën (duart, trupin). Fshij ballin. Fshij djersën (lotët). Fshij me peshqir (me shami).

3. Prish me gomë a me diçka tjetër diçka të shkruar ose të vizatuar në një letër, në dërrasë të zezë etj.; shuaj, shlyej. Fshij dërrasën e zezë. Fshij vijat (figurën).

4. fig. Bëj që të mos jetë më diçka, zhduk. I fshimë zakonet e vjetra (prapanike). I fshinë nga faqja e dheut.

5. vet. veta III fig. bised. E merr diçka përpara duke mos lënë asnjë shenjë a gjurmë, përlan. Lumi e fshiu krejt shtëpinë (fshatin). I fshiu era e madhe (furtuna).

6. fig. bised. E kap dikë menjëherë dhe e hedh në një vend tjetër, përfshij. E fshiu për beli (për mesi, për fyti).

7. fig. bised. E ha të tërë e menjëherë, e përlaj. E fshiu gjellën. E fshiu të gjithë mishin.

  • Fshin buzët bën naze në të ngrënë. I fshiu buzët nga diçka hoqi dorë, nuk ka më shpresë, lau duart nga diçka. E fshiu (e hoqi, e shoi, e shleu) nga defteri dikë a diçka shih te DEFTER,~I. I fshiu (i lau) duart nga dikush a nga diçka shih te LAJ. I fshiu lotët dikujt i hoqi a i largoi hidhërimin dikujt. Nuk di të fshijë hundët mospërf. nuk është i zoti për asgjë, është fare i humbur. Fshiji mustaqet (buzët) për murrizi (pas murrizit) iron. shih te BUZ/Ë,~A.