fshehtë
FSHEHTË f.
1. Diçka që nuk është zbuluar a nuk është njohur ende. Të fshehtat e natyrës (e gjithësisë). Depërtojnë në të fshehtat e materies.
2. Diçka që mbahet e fshehtë, që nuk duhet ta dinë a ta kuptojnë të tjerët ose që e dinë vetëm pak vetë, sekret. E fshehtë e thellë. Të fshehtat e detyrës. Të fshehtat e zemrës. Ruaj (zbuloj) të fshehtën. I tregoj një të fshehtë. Nuk kam ndonjë të fshehtë. S'është e fshehtë dihet, e dinë të gjithë.
3. Shkaku i brendshëm, i thellë e i padukshëm i diçkaje; njohuri e shprehi të thella e të veçanta që i kanë vetëm ata që e zotërojnë mirë punën e vet, që kanë aftësi e përvojë të madhe. E fshehta e lojës. E fshehta e artit (e punës krijuese).
FSHEHTË mb.
1. Që është i futur a i mbuluar dhe nuk e shohin ose nuk e gjejnë dot të tjerët; që e dinë vetëm pak veta; që nuk dihet, nuk njihet a nuk kuptohet nga të tjerët. Vend i fshehtë. Shpellë (gropë, udhë) e fshehtë. Shkrim i fshehtë. Gjuhë të fshehta të folura konvencionale që përdoren nga grupe të veçanta njerëzish e që kuptohen vetëm prej tyre (p.sh. nga zejtarët shëtitës, nga hajdutët etj.).
2. Që mbahet përbrenda nga dikush, që nuk shfaqet a nuk shprehet. Mendim i fshehtë. Zemërim (gëzim) i fshehtë. Ndjenja (qëllime) të fshehta.
3. Që nuk kuptohet se nga vjen a ku e ka burimin, i paqartë, i papërcaktuar, i errët. Parandjenjë e fshehtë. Shqetësim i fshehtë.
4. fig. Që i mban përbrenda mendimet, ndjenjat etj., që nuk ua hap zemrën të tjerëve; i mbyllur. Njeri i fshehtë.
5. fig. Që vepron pa u diktuar nga të tjerët, që vepron në mënyrë tinëzare, që i mbulon veprimet e veta; që vepron në kushte ilegale; që kryen shërbime, veprime e detyra, të cilat nuk duhet t'i dinë të tjerët. Armik (agjent) i fshehtë. Përkrahës (mbrojtës, kundërshtar) i fshehtë. Organizatë (shoqëri) e fshehtë. Policia e fshehtë. Diplomaci e fshehtë.
6. fig. Që bëhet pa u marrë vesh nga të tjerët, që bëhet në fshehtësi; që nuk dihet nga të tjerët. Takim (bisedim) i fshehtë. Traktat (pakt) i fshehtë. Lidhje të fshehta. Marrëveshje e fshehtë.
7. fig. Që bëhet pa u vënë re nga të tjerët, që bëhet duke u ruajtur fshehtësia; kund. i hapur. Votim i fshehtë.
8. mjek. Që zhvillohet pa dhënë shenja të dukshme a shenja klinike; kund. i hapur. Sëmundje e fshehtë. Dështim i fshehtë. Periudhë e fshehtë.
9. euf. bised. Gjinor; që ka të bëjë me organet gjinore. Organet e fshehta. Sëmundjet e fshehta.